Prindërit me fëmijë me aftësi të kufizuara

01/02/2012 19:10

Jo të gjithë personat lindin me aftësi të njëjta. Disa prej atyre , janë ata që fati i ka diferencuar, duke i lënë me aftësi të kufizuara.

Por, si është jeta e atyre që jetojnë përkrah këtyre njerëzve? Në studion e emisionit të “Pasdites”, të mërkurën, dy çifte prindërish të ndryshëm rrëfyen për publikun dramën e jetës së tyre.

Bashkim dhe Afërdita Seiti, treguan 30-vjetët e jetesës së tyre me Erionën, e cila mbeti e dëmtuar në tru pas një pakujdesie të mjekëve në lindje. Gjithashtu në studio ishte Genc Osmanaj, babai i Rudolfit, sot 16 vjeç, që në moshën 4-muajshe, nga një krizë epileptike ka pësuar demtime ne tru.

Nga ana e saj, psikologia Albana Shaholli foli për traumat dhe përjetimet që krijon një fëmijë me aftësi të kufizuar në psikologjinë e prindërve dhe në marrëdhënien midis tyre.

“Nuk është se bëra një lindje të vështirë, por nga pakujdesia, vajza u ra mjekëve nga duart dhe u dëmtua në trurin e vogël, në qendrën e ekuilibrit”, kujton ato momente dramatike Afërdita.  

“Me Bashkimin kishim ëndrra, si do të ishte fëmija dhe çdo të bënte. Ëndërronim për të ardhmen e saj dhe ne ishim të rinj në atë kohë dhe nuk është se vonoi shumë që të merrnim vesh se ajo kishte probleme në zhvillim. Pas 2-3 muajsh u kuptua që s’ishte si gjithë të tjerët dhe ne në atë kohë nuk kishte shumë informacion, por na thnë që duke u rritur do të përmirësohej, por kjo nuk ndodhi dhe kaluam një traumë të rëndë për familjen tonë”, shtoi nëna e tre fëmijëve, e Erionës dhe dy djemve plotësisht të shëndetshëm pas saj.

Për një prind të përballur me një situatë të tillë, shpresa për përmirësimin e të bijës dhe dëshpërimi ecin bashkë hap pas hapi. “Vendosëm të bënim diçka për vajzën tonë, pas viteve 1990 e çuam jashtë. Në fillim unë dhe pastaj erdhi dhe afërdita. Mendonim se mund të shërohej, por kjo ishte e pamundur. Megjithatë, në Shqipëri u kthyem me më shumë informacion dhe dijeni se si duhet të trajtonim problemin e Erionës”, rrëfen Bashkimi.

“Përkushtimi ndaj një fëmije të tillë është total, por sot kemi një mision, që të ndihmojmë prindërit e tjerë që ndodhen në këtë situatë dhe ia kemi dalë mbanë”.

Frika për të bërë një fëmijë të dytë, kur i pari është me aftësi të kufizuara është e madhe, por në të rastet, prindërit e mposhtën frikën dhe sollën në jetë fëmijë të tjerë.

“Në fillim, është e rëndë ta mendosh, edhe më shokuese ta pranosh. Momenti i parë ishte kritik, sepse nuk ishte se duhet ta pranoja vetëm unë, por edhe gruaja, që e përjetoi më rëndë. Megjithatë, situate ishte reale, e vërtetë dhe duhet ta pranoja. Kishim shumë ëndrra, ishte e  vështirë, por e pranova. Fillova të pija, isha goxha i ri, 23 vjec dhe edhe vetë koha ishte e vështirë”, kujtoi Zoti Osmanaj, momentin e tij të përballjes me të vërtetën.

Për psikologen Shaholli, kjo mënyrë e përjetimit është mëse e zakonshme. “NJë dhimbje e tillë shkakton dhe prish ekuilibrat e marrëdhënieve në familje. Unë e shoh problemin bio-psiko-social, jo vetëm në sferën psikologjike, por edhe marrëdhëniet shoqërore e bashkëshortore të prindërve që duhet të përballen me këtë situatë”.

Një fëmijë me aftësi të kufizuara, jo vetëm kërkon një përkushtim të shtuar, por sjell për çdo familje probleme të theksuara ekonomike. “Jam detyruar të bëj 24 orë punë, çdo lloj pune, nga roje nate dhe çdo profesion tjetër, por mendoja që im bir student nuk duhet të rijë në karrocë. Dhe tani, kur e shoh që ecën përkrah ndihem mirë. Kam djalin tjetër që e merr me vete dhe më vjen keq për djalin tjetër se është burrëruar përpara kohe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA