Acar siberian në Europë

01/02/2012 00:00

I ftohti i acartë e ka zënë ngushtë kontinentin e vjetër duke mbuluar me dëborë prej Italisë në jug e deri Turqinë në Lindje. Mbi 80 persona kanë humbur jetën, kryesisht në Ukrainë dhe Poloni.

Në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, shkollat dhe gjimnazet janë mbyllur si pasojë e të ftohtit. Zyrtarët raportuan për 43 të vdekur. Bilanci u rëndua me 13 viktimat e 24 orëve të fundit, si pasojë e hipotermisë.

Shkollat u mbyllën edhe në veri të Greqisë, ku temperaturat shkuan në minus 16 gradë celsius.

Disa qytetet të Bullgarisë shënuan rekorde të temperaturave të ulta. Në Kneja, në veri lindje të vendit, termometri shënoi -29 gradë celsius për të dytën ditë me rradhe. Në pjesën më të madhe të vendit është ndezur sinjali portokalli, cka paralajmëron temperatura të ulta. 450 shkolla janë mbyllur.

I ftohti ka pushtuar edhe Rumaninë, Bosnjën edhe Serbinë. Autoritetet dërguan helikopterë me ndihma në fshatrat e thellë, ku nuk mund të arrihet si pasojë e bllokimit nga dëbora.

Media gjermane raporton se ngrica dhe temperaturat nën zero shkaktuan vdekjen e 4 personave, dy nga i ftohti dhe dy të tjerë në aksidente rrugore.

Dëbora ka mbyllur jugun e Italisë dhe Korsikën ku dëbora ka arritur në 20 cm. Shërbimi hekurudhor u kufizua.

Sipas meteorologëve, masa e të ftohtit që ka pushtuar Europën ka ardhur nga Siberia dhe pritet të shënojë kulmin në fundjavë. E shoqëruar me erëra të ftohta dhe rreshje dëbore do të përhapen më në jug të Europës si dhe në disa pjesë të Afrikës Veri-Perëndimore.

Ukrainë, 43 viktima nga i ftohti

Vazhdon të rritet numri i viktimave nga vala e të ftohtit që ka përfshirë Ukrainën.

Janë 43 personat që kanë humbur jetën gjatë 5 ditëve të fundit, 13 prej tyre në 24 orët e fundit. Në 28 raste bëhej fjalë për të pastrehë.

Sipas Ministrisë së Emergjencave të ish-republikës sovjetike, që nga 27 janari deri më sot janë 854 personat që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore nga kushtet e këqia atmosferike.

Në vendin ku mbrëmja e së martës ka shënuar 33 gradë nën zero, 723 ukrainas janë detyruar të shtrohen në spital.

Top Channel