Amnistia, Kuvendi miraton shtyrjen

27/01/2012 08:35

Deri në fund të muajit mars, biznesi dhe individët kanë mundësi të legalizojnë asetet e fshehura dhe të shlyejnë një pjesë të detyrimeve pa paguar gjobat.

Kuvendi miratoi në seancën e zhvilluar të enjten shtyrjen e afatit me tre muaj të amnistisë fiskale, por siç evidentoi e përditshmja “Shqip”, diskutimet në sallën e Kuvendit nxorën në pah qëndrimet e kundërta të dy forcave politike.

Mazhoranca e justifikonte shtyrjen e afatit me numrin e lartë të aplikimeve dhe kohës së shkurtër për zgjidhjen e tyre, kurse opozita e konsideroi të pavlefshëm “procesin e dytë”, pa bërë më parë analizat se çfarë solli amnistia në 6 muaj të zbatimit korrik-dhjetor 2011.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, efektet mbeten jotransparente dhe duhej që në përfundim të afatit 6-mujor, të niste një fazë e re për ekonominë e vendit dhe jo të bëhej një shtyrje afati.

“Falja Fiskale solli përfitime për 24 mijë qytetarë. Kërkesa e lartë për të përfituar solli shtyrjen me tre muaj të faljes”, tha Edmond Spaho, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Të pyetur nga “Shqip”, grupet e interesit ishin shprehur për një afat të shtyrë me 6 muaj, madje Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, i kishte dërguar një letër ministrit të Financave, me argumente pse duhet rishikuar periudha e zbatimit të ligjit për faljen.

Nga rreth 60 miliardë lekë detyrime dhe borxhe të papaguara nga biznesi në tatime dhe dogana, nuk janë falur më shumë se 20 miliardë lekë në rastin më optimal.

Për rezultatet e dobëta palët, biznes-qeveri, kanë bërë me ‘faj’ njëra-tjetrën. Ministria thotë se biznesi nuk u tregua i shkathët dhe nuk i kuptoi si duhet avantazhet që sjell amnistia, kurse sipërmarrja private justifikohet me afatet e pamjaftueshme dhe mungesën e informacionit.

Mësohet se komisionet e ngritura pranë drejtorive tatimore rajonale kanë dhënë faljen për rreth 45 mijë biznese, me një detyrim total prej afro 4 miliardë lekësh.

Të ndara për tri periudha, duket se borxhet e 2008-s janë fshirë të gjitha nga regjistri, pasi nuk kushtëzoheshin me pagesën e detyrimeve, ndërsa viti 2009 dhe 2010, që sanksionohen me shlyerjen e taksave me 30 dhe 50 për qind, paraqiten më dobët.

Më mirë ka ecur administrata doganore, e cila ka amnistuar rreth 12 miliardë lekë, nga të cilat kanë përfituar 1500 biznese.

Top Channel