Sherr në Inter-Genoa, tifozi në gjendje kritike

20/01/2012 10:45

Një tifoz 38-vjeçar xhenoan është në rrezik për jetën, pas një ballafaqimi me forcat e policisë, në ndeshjen e Kupës së Italisë, Inter-Genoa 2-1.

Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, tifozi u paraqit në hyrjen e stadiumit “San Siro” i dehur dhe sjellja e tij jo e ekuilibruar bëri që policia të kërkonte një kontroll më të detajuar.

Pasi tifozi refuzoi që të identifikohej, ai u shoqërua nga dy agjnetë në një pjesë të veçuar të impiantit, ku për shkak të dehjes ose ndonjë arsye tjetër të panjohur, sulmoi fizikisht njërin prej policëve. Në konflikt e sipër, të dy u rrëzuan nga një pjesë e ngritur, por tifozi goditi kokën, duke pësuar një traumë të rëndë.

Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku është shtruar në reanimacion dhe po lufton me vdekjen. Të paktën ky është versioni i publikuar mëngjesin e së premtes prej autoriteteve italiane. Megjithatë, një gazetë ngrinte dyshim për keqtrajtim në kazermat e policisë, duke hedhur dyshim për faktin që për momentin, nuk janë gjetur dëshmitarë pamorë në ngjarjen e ndodhur në stadiumin ku ishin të pranishëm rreth 45 mijë persona.

”Ky është një fenomen i keq i shoqërisë dhe futbollit tonë. Stadiumi konsiderohet ende si një arenë ku do të dyluftohet me tifozët kundërshtarë dhe jo si një mbrëmje në kinema apo teatër. Nuk e di a do t’ia dalim ndonjëherë mbanë”, u shpreh trajneri i Interit, Claudio Ranieri, pas mësimit të ngjarjes së trishtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA