SHBA: Pasurimi i uraniumit, shkelje e rezolutave

10/01/2012 09:00

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se pasurimi i uraniumit nga Irani, në një impiant nën tokë përbën një “përshkallëzim të mëtejshëm” të shkeljeve të vazhdueshme të rezolutave të OKB-së.

Paralajmërimi i Uashingtonit vjen pasi agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore, ANEA, konfirmoi se Teherani ka nisur pasurimin e uraniumit në kuotën 20 për qind, në impiantin verior të Fordos.

Analistët thonë se pasurimi në 20 për qind përbën një hap të madh përpara për gradimin e uraniumit për përdorim ushtarak, por qeveria iraniane insiston se programi i saj ka vetëm qëllime paqësore.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland deklaroi se pasurimi në Fordo, në afërsi të qytetit të Komit, ka ngritur shumë shqetësime dhe dyshime.

“I bëjmë edhe njëherë thirrje Iranit që të ndërpresë aktivitetet e pasurimit, të bashkëpunojë plotësisht me ANEA dhe të implementojë menjëherë rezolutat e Këshillit të Sigurimit”, deklaroi Nuland.

Edhe Britania dhe Franca kanë dënuar lëvizjen. Në Paris, Ministria e Jashtme përmes një deklarate për shtyp tha se, “lëvizja e Iranit nuk na lë rrugë tjetër përvec përforcimit të sanksioneve ndërkombëtare dhe ndërmarrjen e masave më të ashpra se më parë”.

Ndërsa në Londër, sekretari i Jashtëm, William Hague e cilësoi njoftimin si “një akt provokues që minon më tej deklaratat e Teheranit se programi i tij ka qëllime paqësore”.

Ditën e hënë, një zëdhënëse e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Gill Tudor, deklaroi se agjencia mund të konfirmojë se Irani ka nisur prodhimin e uraniumit të pasuruar në 20 për qind.

Top Channel