Kodi Rrugor, Burgaj apel qytetarëve

09/01/2012 18:00

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dy ditë përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Rrugor, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh, duke kërkuar zbatim rigoroz të tij, për të ulur nivelin e lartë të aksidenteve në vend.

Në prani të të gjithë drejtuesve të qarkullimit rrugor në vend, Burgaj u shpreh se, cdokush që has në mosveprim të punonjësit të policisë kur thyhen normat e këtij kodi, të denoncojë duke u siguruar reagim dhe ndëshkim të abuzuesve.

Sipas Burgajt, amendimet ne Kodin Rrugor u bënë vetëm për rritjen e edukatës rrugore dhe parandalimin e ngjarjeve aksidentale, nëpërmjet forcimit të masave ndëshkimore.

Sipas tij, për policinë masat e rrepta nuk do të kenë qëllim në vetëvete ndëshkimin, por ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve.


Ndryshimet në Kodin Rrugor u kritikuan
para pak kohësh nga ekspertë të pavarur të sigurisë rrugore, të cilët shprehën rezervat e tyre në vecanti për kapitullin ku flitet për gjobat.

Eksperti Gëzim Hoxha dekaroi për Top Channel se nuk mund të vendosen gjoba të dyfishuara për shoferët, në një kohë që atyre nuk u ofrohet një rrugë brenda parametrave si dhe një sinjalistikë e zbatueshme.

Ndërsa drejtori i policisë rrugore, Vullnet Topalli, deklaroi në një intervistë për Top Channel se për të informuar qytetarët për ndryshimin e nivelit të gjobave, autoritetet shtetërore do të ndërmarrin një fushatë.

“Të gjitha detajet do të citohen nga punonjësit e policisë në lidhje me drejtuesit e automjeteve që shkelin normat. Por do të kemi një prononcim edhe në televizionet e vendit, që drejtuesit të njihen me ndryshimet e fundit. Është njëfarë fushate sensibilizimi për drejtuesit e automjeteve”, deklaroi Topalli.

Top Channel