Ish-trajneri i Barcelonës, Josep Guardiola, në një deklaratë të dhënë nga Zyrihu, përpara mbajtjes së ceremonisë së Topit të Artë, theksoi se për momentin mendon vetëm që të shijojë muajt e mbetur pushim, përpara se të rikthehet me siguri në stolin e ndonjë skuadre në sezonin e ardhshëm.
“Vitin e ardhshëm do të rikthehem të bëj trajnerin. Në moshën 41-vjeçare, jam ende i ri dhe kam shumë sfida për të realizuar. Aktualisht, jam duke bërë atë jetë që kam dëshiruar, po shijoj pushimet pas një periudhe të lodhshme në jetën time. Nga ana tjetër, mund t’iu konfirmoj se nuk kam ende një ekip. Bajerni? Ata kanë një trajner dhe do të ishte mungesë respekti nga ana ime të flisja kështu. Përsëris, kam marrë vendimin për t’u rikthyer, por nuk e di ende se ku”, tha Guardiola.
Fituesi i katër kampionateve dhe dy Champions League në “Camp Nou”, Guardiola u shpreh edhe për Barçën e re apo spekulimet mbi mundësinë e drejtimit të Brazilit prej tij.
“Brazili ka shumë futbollistë të rinj dhe do të jetë pa dyshim një kandidat për të fituar Botërorin e ardhshëm. Ata kanë shumë trajnerë të mëdhenj, midis të cilëve Scolari dhe vetëm fakti që menduan për mua më bën të ndihem shumë krenar. Barcelona? Më vjen mirë që ata vazhdojnë të jenë një spektakël për t’u parë. Jam shumë i lidhur me të gjithë ambientin katalanas, ndihem shumë mirë për ecurinë e tyre të shkëlqyer pas largimit tim”, shtoi Guardiola.
Top Channel