Berisha: Zgjerim Fondit të Ekselencës

04/01/2012 00:00

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të Fondit të Ekselencës për 67 studentë shqiptarë, të cilët janë pranuar të studiojnë në nivele të ndryshme akademike në 15 universitetet më të mira të botës.

Duke përgëzuar të rinjtë që përfituan nga Fondi i Ekselencës këtë vit, kryeministri Berisha theksoi se brenda 2013-ës numri i atyre që do të përfitojnë nga ky fond do të kapë shifrën e 300 studentëve.

Kryeministri Berisha inkurajoi të gjithë të rinjtë me rezultate të shkëlqyera që të aplikojnë në universitetet më të mira të botës, sepse, sipas tij, mbështetja e qeverisë për këtë fond do të jetë pa limit.

Kryeministri theksoi gjithashtu se objektiv për vitin 2013 do të jetë rritja e cilësisë së arsimit si dhe shtimi i përfituesve të Fondit të Ekselencës me studentë shqiptarë edhe nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora.

Gjithashtu, kreu i qeverisë theksoi se Fondi i Ekselencës dhe programi “Brain Gain” duhet të shndërrohen në dy mekanizma të fuqishem të konsolidimit të softit perëndimor të kombit shqiptar.

Top Channel