LSI: Zgjedhja e presidentit, proces transparent

30/12/2011 00:00

LSI kërkon që procesi i zgjedhjes së presidentiti gjatë vitit 2012 të jetë transparent dhe të mos shkaktojë kriza politike që mund të dëmtojnë axhendën integruese të vendit.

Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama deklaroi në një konferencë për shtyp se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të krijojë një klimë politike të bazuar tek bashkëpunimi.

“LSI e konsideron cështjen e zgjedhjes së presidentit një cështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë jo thjesht me faktin se kush merr detyrën e kryetarit të shtetit, por me përgjegjshmërinë e trajtimit të një procesi, që duhet të jetë serioz, transparent e me zgjedhje që t’i shërbejnë krijimit të një klime politike bashkëpunuese, që na orienton tek fryma evropiane dhe e partneritetit mes institucioneve”, deklaroi Rama.

Cështja e presidentit nuk po trajtohet ende seriozisht nga partitë politike, si nga ato në pushtet, edhe nga ato në opozitë, pasi është ende herët.

Presidenti aktual i Republikës, Bamir Topi deklaroi disa ditë më parë se nuk ka ndërmend të rikandidojë për një mandat të dytë, me përjashtim të rastit nëse bëhet që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha, në konferencën për shtyp të fundvitit, deklaroi se lidhur me cështjen e presidentit ai do të veprojë sipas Kushtetutës, që i cakton kreut të shtetit statusin e tij.

“Presidenti? Kam deklaruar se do të respektohet Kushtetuta, që përcakton me saktësi statusin e tij. Cdo koment jashtë kuadrit kushtetues është absolutisht joproduktiv”, deklaroi Berisha.

Top Channel