Siguria në banka është bërë objekt i një takimi mes drejtuesve të Policisë së Tiranës dhe operatorëve privatë të sigurisë së bankave. Nisur nga kthimi i emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit e bashkë me ta,edhe të elementëve kriminalë, grabitës të sofistikuar të bankave, policia këmbëngul se duhet të punohet në drejtimin e parandalimit të këtyre krimeve.
Specialistët e Sektorit të Sigurisë Publike, si dhe të Sektorit të Policive Private, kërkuan nga administratorët e bankave që në këto objekte ku ruhen dhe mbahen vlera të konsiderueshme monetare, punonjësit e sigurisë të jenë më efektivë, më të përgjegjshëm dhe me mundësinë për të reaguar më shpejt në drejtim të sulmeve ndaj objekteve të cilat kanë si qëllim përvetësimin e vlerave monetare.
Zona e administrimit dhe e ruajtjes së vlerave monetare fizike në agjencinë bankare krijohet në një ambient të sigurt dhe të fshehtë, në një vend ku nuk mund të shihet nga klientët, ndërsa dera e hyrjes duhet të jetë me çelës, ku të vendosen edhe kontakte magnetike. Në këto zona janë instaluar sensorë sizmikë, lëvizjeje, zjarri si dhe telekamera për të monitoruar dhomën nga brenda dhe hyrjen e jashtme.
Policia do të realizojë edhe kontrollin e shpeshtë të terrenit përreth bankave, gati çdo 30 minuta, me qëllim parandalimin e grabitjeve. Shërbimet e policisë do të rrisin edhe kontrollet ndaj të dyshuarve, megjithëse krimi është bërë edhe më i sofistikuar. Nga ana tjetër, edhe vetë forcat private të sigurisë së bankave kanë rritur masat, si dhe personalin e shërbimit.
Sipas specialistëve që merren me dokumentimin e grabitjes së bankave, ka qenë i vështirë identifikimi i autorëve, pasi grabitësit janë bërë më të shkathët.
Statistikat tregojnë se në vitin 2011 ndodhën vetëm dy grabitje të bankave që u regjistruan në janar dhe dhjetor, kundrejt pesë rasteve të evidentuara në vitin 2010.
Pak kohë më parë, specialistët e policisë dhanë alarmin se vjedhja e bankave vjen më së shumti për shkak të mosrespektimit të kushteve të sigurisë.
Top Channel