Irak, 5 vjet nga ekzekutimi i Saddam Hussein

28/12/2011 18:55

Xhelatët, shiitët që e ofendonin dhe i thoshin “vafsh në ferr”, të tjerë të pranishëm që e provokonin duke thënë emrat e liderëve fetare aq të urryer prej tij.

Ekzekutimi i diktatorit të rrëzuar Saddam Hussein më 30 dhjetor të vitit 2006 do të kujtohet për aspektet e tij brutale, që kontribuan në rritjen e urrejtjes fetare që edhe sot vazhdon të përgjakë Irakun.

Bëhet fjalë për një luftë etnike që ka përfshirë në vecanti besimtarët shiitë dhe ata sunitë, të cilëve u përkiste vetë Hussein.

Vetë kryeministri shiit, Nuri al Maliki, që kishte insistuar në dhënien e dënimit kapital, u detyrua më pas të shprehte pendimin e tij për atë që kishte ndodhur në sallën e ekzekutimit.

Varja me litar u krye në një kazermë të shërbimeve sekrete ushtarake në lagjen shiite Kadimija të Bagdadit.

Ndërsa presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, që e kishte vlerësuar ekzekutimin si “një akt drejtësie”, e kritikoi ashpër vetëm pak javë më vonë duke e cilësuar si “të gabuar”.

Pesë vjet më pas, atentatet vazhdojnë të përgjakin vendin dhe tensionet politike mes shiitëve të Al Malikit dhe bllokut sunit Irakia, të ish-kryeministrit Iyad Allawi, shkaktojnë frikën se Iraku mund të precipitojë në kohët më të errëta të luftës ndërsektare që arriti kulmin në vitet 2006-2007.

I arrestuar në dhjetor të vitit 2003, tetë muaj pas pushtimit amerikan që kishte shkaktuar rrënien e regjimit dhe pesë muaj pas vrasjes së dy djemve të tij, Uday dhe Qusay, Saddam Hussein u shfaq për herë të parë para gjykatësve në tetor të vitit 2005.

Megjithatë, ai arriti në kohë të bënte që të dënohej vetëm për krime kundër njerëzimit në lidhje me ekzekutimet e 148 shiitëve në Duxhali, në vitin 1982, si kundërsulm ndaj një atentati të kryer ndaj tij në këtë fshat, që ndodhet 40 kilometra në veri të Bagdadit.

Top Channel