Siri, vëzhguesit arabë nuk e ndalin dhunën

26/12/2011 00:00

Të shtëna armësh dhe artilerie u morën jetën 23 personave në qytetin Homs të Sirisë, ngjarje që përkon me mbërritjen e vëzhguesve të Ligës Arabe në Damask. 

Aktivistët e opozitës i kërkuan atyre të vizitojnë Homsin. Ngjarjet e fundit janë rregjistruar në lagjen Baba Amër, që sic raportohet, është rrethuar nga forcat e qeverisë. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se vetëm në këtë zonë, humbën jetën 15 persona.

Video e postuar në internet dëshmon gjakderdhjen në Baba Amër. Aty shihen katër trupa të pajetë, të mbuluar në gjak dhe një grua që kërkon ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.

Korrespondenti i BBC-së në Bejrut thotë se Homs mund të jetë një test për misionin e vëzhguesve, që vërteton nëse u kufizohet hyrja në qytet ose nëse situata është e qetë për të kryer detyrën e tyre.

Protestat kundër Presidentit sirian, Bashar Al Asad nisën në muajin mars. Numri i viktimave, vështirë se mund të verifikohet, sepse mediave ndërkombëtare u është ndaluar të hyjnë në Siri.

Të hënën mbërritën 50 vëzhgues, pas nëntë të parëve që mbërritën ditë më parë. Gjenerali sudanez, Mustafa Dabi, kreu i misionit i tha agjensisë Reuters se “deri tani vëllezërit siriane po bashkëpunojnë shumë mirë dhe pa asnjë kufizim”.Vëzhguesit do të ndahen në grupe më të vegjël dhe sipas marrëveshjes dhe janë të lirë të mbikëqyrin cdo zonë, për të parë se cfarë ndodh.

Të dielën, Këshilli Kombëtar i Sirisë i kërkoi vëzhguesve të shkojnë në Homs pa vonesë, vecanërisht në lagjet të rrethuara nga ushtria, për të përmbushur misionin e tyre.

Top Channel