Lady Gaga “kujdeset” të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes së mediave. Këtë herë, edhe pse jo me vullnetin e saj, emri i këngëtares, të saposhpallur nga Forbes si më e pasura në planet, po lakohet në gjykatat e Nju Jorkut.
Shkak është bërë një padi e ngritur nga një ish-asistente e saj, e cila pretendon se nuk është paguar për 7168 orë shtesë në kohën kur punonte në stafin e Lady Gaga-s.
Padia është dorëzuar në gjykatën e Manhatanit nga Jennifer O’Neill e cila përvec pagesës për orët ekstra, kërkon edhe dëmshpërblim. Në akt-padinë e ngritur ajo thotë se ka punuar 24 orë për Lady Gaga gjatë turit të saj botëror në vitin 2010.
“Më duhej të kënaqja cdo kaprico të saj, në cdo orë, qoftë ditë, qoftë natë, më duhej të isha e gatshme edhe për t’i siguruar që peshqiri ishte në vendin e duhur kur ajo dilte nga banjo…madje kam shërbyer edhe si zile zgjimi për të zgjuar Lady Gaga dhe kam përgatitur axhendën e saj personale”, thuhet në dokumentat e paraqitur para gjykatës nga O’Neill.
Ish-asistentja pretendon se Lady Gaga kërkonte “shërbim” në cdo vend, në stadiume gjatë koncerteve, në avionin privat, nëpër suitat e hotelit.
“Kudo dhe në cdo kohë duhej të ishe e përgatitur për t’i shërbyer asaj, në mëngjes herët, në drekë, madje edhe në mes të natës për t’i plotësuar një tekë”, thotë ish-asistentja, O’Neill.
Ndërkohë, përfaqësuesit ligjorë të këngëtares kanë deklaruar se padia e ngritur nuk ka kurrëfarë baze.
Ky nuk është rasti i parë kur Lady Gaga akuzohet për “kopracërinë” e saj. Një tjetër ish-asistente e saj, pati deklaruar pak kohë më parë në media, se këngëtarja nuk paguante orët shtesë. Ajo shkoi edhe më tej duke deklaruar se është detyruar edhe të flerë në të njëjtën dhomë me Lady Gaga pasi këngëtarja kishte frikë të flinte vetëm.
Top Channel