Nigeri, bombë në kishë, viktima

25/12/2011 13:00

Një shpërthim bombe shkatërroi një kishë katolike pranë kryeqytetit nigerian të Abuxhës, ndërsa janë raportuar 25 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Shpërthimi ndodhi në kishën e “Shën Terezës”, në Medalla, në kohën kur po mbahej mesha e Krishtlindjeve. Ndërkohë, një shpërthim i rënde tronditi një tjetër kishë në qytetin e Josit rreth mesdites, ndersa mbahej një shërbesë fetare. Për këtë atentat të dytë nuk ka ende informacion mbi viktima apo të lënduar.

Një zyrtar vendas ne Abuxha u shpreh për reporterët se situata është aq dramatike, sa që autoritetet nuk kanë autoambulanca për të transportuar në spital të gjithë të lënduarit.

Sasia e ekplozivit ka qenë e tillë sa që shpërthimi është ndjerë deri disa kilometra larg, ndërsa xhamat e shtëpive pranë janë thyer.

Në disa zona të vendit, në rrugë patrullojnë forca të armatosura rëndë policore dhe të ushtrisë, pas një shkëmbimi zjarri me militantët islamikë, ndodhur të premten, në veri të Nigerisë.

Nigeri, sulmet islamike shkaktojnë 100 viktima

Rëndohet bilanci i viktimave të sulmeve islamike të kryera kundër kazermave dhe rajoneve të policisë në disa qytete në veri të Nigerisë.

Siç informuan burime policore gjatësë enjtes, viktimat janë rreth 100, rrjedhojë e sulmeve të islamikëve ndaj të krishterëve. Kjo shifër konfirmohet edhe nga përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut.

“Rreth 100 persona kanë mbetur të vrarë në qytetin Damaturu”, u shpreh një burim i policisë për agjensinë AFP.

Para disa javësh, një raport i detajuar i Kongresit Amerikan e cilësonte grupin islamist nigerian të “Boko Haramit” si një “kërcënim për interesat e SHBA-së”.

I përqendruar në veri të vendit me 140 milion banorë, atje ku popullsia muslimane është e lokalizuar, militantët janë përgjegjës për disa shpërthime që kanë shkaktuar qindra viktima. Ngjarjet kanë ndodhur në disa pjesë të vendit, përfshi kryeqytetin Abuxha.

Besohet se “Boko Haram” është duke vendosur lidhje të thella me “Al-Kaedën” dhe degëzimet e saj në disa zona të tjera të Afrikës. Sipas raportit, është thelbësore për Uashingtonin që të punojë për të fuqizuar marrëdhëniet me shërbimet e fshehta nigeriane.
 

Top Channel