Nigeri, sulmet islamike shkaktojnë 100 viktima

24/12/2011 18:35

Rëndohet bilanci i viktimave të sulmeve islamike të kryera kundër kazermave dhe rajoneve të policisë në disa qytete në veri të Nigerisë.

Sipas burimeve policore, viktimat janë rreth 100 nga sulmet e islamikëve ndaj të krishterëve. Kjo shifër konfirmohet edhe nga përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut.

“Rreth 100 persona kanë mbetur të vrarë në qytetin Damaturu”, u shpreh një burim i policisë për agjensinë AFP.

Para disa javësh, një raport i detajuar i Kongresit Amerikan e cilësonte grupin islamist nigerian të “Boko Haramit” si një “kërcënim për interesat e SHBA-së”.

I përqendruar në veri të vendit me 140 milion banorë, atje ku popullsia muslimane është e lokalizuar, militantët janë përgjegjës për disa shpërthime që kanë shkaktuar qindra viktima. Ngjarjet kanë ndodhur në disa pjesë të vendit, përfshi kryeqytetin Abuxha.

Besohet se “Boko Haram” është duke vendosur lidhje të thella me “Al-Kaedën” dhe degëzimet e saj në disa zona të tjera të Afrikës. Sipas raportit, është thelbësore për Uashingtonin që të punojë për të fuqizuar marrëdhëniet me shërbimet e fshehta nigeriane.

Top Channel