Kolumbi, vetëdorëzohet bosi i drogës

24/12/2011 10:15

Kreu i një organizate kriminale që thuhet se kontrollon shumicën e tregtisë së drogës në Kolumbi është vetëdorëzuar tek autoritetet vendase.

Jose Eberto Lopez, nga Ushtria Popullore Revolucionare e Kolumbisë, u dorëzua në polici në qytetin Vilavisensio, në jug-lindje të Bogotas.

Mbi 280 anëtarë të organizatës janë vetëdorëzuar tek autoritetet në dy ditët e fundit dhe ende nuk dihet përse grupi ka vendosur të shpërbëhet.

Luftëtarët do të qëndrojnë në Vilavisensio derisa gjyqtarët të vendosur statusin e tyre ligjor. Zyra e prokurorit të përgjithshëm ka deklaruar se nuk kishte negociuar me ta.

Zëdhënësja Carmen Maritza Gonzalez deklaroi për mediat ndërkombëtare se ata kishin zgjedhur vetë të dorëzoheshin tek autoritetet.

Jose Eberto Lopez, i njohur ndryshe me nofkën Karaco, mund të jetë duke shpresuar një trajtim më të butë nga gjykata duke qenë se ndikoi në shpërbërjen e grupit.

Kohët e fundit ai është cituar nga mediat kolumbiane të ketë thënë se “ishte i lodhur nga lufta”. Anëtarët e bandës pritet të zbulojnë se ku ndodhen arsenalet e tyre të armëve.

Por gjithashtu, ka spekulime se grupe të tjera të trafikut të drogës mund të kenë ushtruar presion ndaj tyre për të marrë kontrollin e narkotrafikut në kufi me Venezuelën.

Që atëherë, vdekja e liderit të padiskutueshëm të grupit, Pedro Guerrero, i njohur ndryshe me nofkën “Thika”, bëri që të qarkullonin shumë zëra për shpërbërjen e bandës.

Top Channel