Liderë botërorë nderojnë Havelin

23/12/2011 14:30

Liderë nga e gjithë bota janë mbledhur në funeralin e ish-presidentit cek Vaclav Havel në Pragë. Njeriu që rrëzoi komunizmin në Cekosllovaki ndërroi jetë të dielën në moshën 75-vjecare.

Në mesin e titullarëve pjesëmarrës në ceremoni kanë qenë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i shoqi ish-president i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, presidentët e Francës e Gjermanisë, kryeministri britanik David Cameron, si dhe vetë disidenti polak i kthyer në kryetar shteti, Les Valesa, përkrah liderëve aktualë nga e gjithë Europa lindore, përfshirë kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe presidenten kosovare Atifete Jahjage.

Mesha mortore në katedralen e Shën Vitusit u kremtua nga kryepeshkopi i Pragës, Dominic Duca, ndërsa të pranishëmve iu drejtoi fjalën edhe ish-shefja e diplomacisë amerikane Madeleine Albright, e lindur gjithashtu në kryeqytetin cek.

Arkivoli i Havel ka qendruar që prej së mërkurës në kështjellën e Pragës peë homazhe. Publikut të gjerë i është krijuar mundësia që ta ndjekë ceremoninë funebre përmes ekraneve gjigande të vendosur në kështjellë dhe në sheshin Hradcany. Një minutë heshtje u mbajt në mesditë për të shënuar momentin e ndarjes nga jeta të Havel.

“Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave, i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve mbetet shkrimi i tij “Unë jam shqiptar”. Në një kohë kur barbaritë serbe po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëravjeçarë të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më e madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj”, deklaroi kryeministri Berisha.

Vaclav Havel bëri emër si dramaturg në vitet ‘60. Liria e zgjeruar që kishte sjellë në Cekosllovaki pranvera e Pragës në 1968-ën i lejoi të satirizonte regjimin komunist. Por pushtimi sovjetik më vonë gjatë atij viti i dha fund reformave, e bllokoi edhe vetë punën e Havel që u detyrua të shkruante tanimë në fshehtësi.

Edhe kështu, esetë e tij të shpërndara dorë më dorë u bënë analizat më elokuente të asaj që komunizmi i shkaktoi shoqërisë dhe individit. Sot ai kujtohet si njeriu qe  udhëhoqi tranzicionin e Cekosllovakisë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, si dhe ndarjen paqësore të vendit në Republikën Çeke dhe Sllovaki në 1993-shin.

Por mbi të gjitha, Haveli i ndrojtur dhe studioz u shndërrua në simbolin e fuqisë popullore që permbysi pa dhunë sistemin totalitar. “E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen,” ishte shprehja e famshme e tij. Kjo u bë edhe motoja me të cilën ai jetonte.

Vdekja e Havel, ngushëllime në ambasadën çeke në Tiranë

Në ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësues të partive poltike kanë lënë shënime në librin e ngushëllimeve për ish-presidentin e Vasllav Havel, i ndarë nga jeta disa ditë më parë.

Kreu opozitës tha se “është nder i posacëm që të bëj një koment për një figurë frymëzuese e cila në distancë mua dhe të tjerët na udhëhoqi në rrugën e protestës, pastaj të revoltës ndaj regjimit totalitar. S’do ta harroj kurrë se me cfarë emocionesh fotokopjonim dhe përkëthenim fshehurazi tekstet e tij dhe pastaj i shpërndanim ato studentëve në Akademinë e Arteve”.

Ndërsa ish-kryeministri Fatos Nano u shpreh se “Kam patur fatin e madh të takohem me të gjatë viteve të detyrave që kam ushtruar. E gjithë historia e tij tashmë e përjetësisë të lidhur me simbolin e lirisë në këtë pjesë të Europës. Ishte me të vërtetë një njeri që mund të ndaje ndjenjat më të thella njerëzore të cilat ai mundi t’i kthente në të arta me një revolucion të kadifenjtë”.

Profil, kush ishte Vaslav Havel?

Për Vaslav Havelin dhe popullin e tij, gjithcka ndryshoi në vitin 1989, viti i Revolucionit të Kadifejtë, kur ai udhëhoqi rrëzimin e komunizmit. Bota vëzhgoi me habi, sesi, brenda javësh, dramaturgu disident u bë President.

Havel u lind më 1936, në një familje të pasur. Por kur komunistët morën pushtetin, ajo humbi gjithcka. Iu ndalua të kryente gjimnazin dhe ai mundi të bënte dicka për të ardhmen, të studionte në një shkollë nate, ndërsa ditën punonte si një teknik laboratori.

Por pushtimi sovjetik i Cekosllovakisë shëmbi ëndrrat e Havelit.

Veprat, kritike kundër gardës së vjetër staliniste u ndaluan në vendlindje. Por ai vazhdoi të krijonte drama me një akt që shfaqeshin në shtëpi private.

Vite më vonë ai themeloi “Kartën 77”,  një levizje që aspironte ndryshime demokratike. Në këto momente, Havel u shndërrua në disidentin më të famshëm të Cekosllovakisë.

I burgosur për aktivitet anti-shtetëror ai u mbajt nën mbikëqyrje të vecantë nga policia sekrete, edhe kur doli nga burgu. Në fund të vitit 1989, Havel e gjeti veten të diskutonte për të ardhmen e vendit, pikërisht me ata  njerëz që e kishin cuar në qeli.

Partia Komuniste po shpërbëhej dhe demokracia po zinte vend. Pas 18 ditë, protestash paqësore dhe grevash që u cilesuan “Revolucioni i Kadifejtë” qeveria komuniste u rrëzua.

Në një ceremoni solemne në Katedralen Katolike në Pragë, në dhjetor të 1989, Havel mori detyrën e Kreut të Shtetit. i burgosuri politik që u bë President tha se pas kësaj, kurrë nuk ishte ndjerë më absurd.

Nacionalistët sllovakë bënë gjithcka të mundur dhe arritën pavarësinë. Vendi i tij u nda në dy pjesë. Havel dha dorëheqjen si presidenti për t’u zgjedhur muaj më vonë, në janar të vitit 1993,  Presidenti i parë i Republikës Ceke.

Në fund të mandatit të tij të dytë në 2003, ai iu dedikua mbrojtjes së të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Do të kujtohet si një antikonfirmist, por asnjëherë një politikan i lindur. Njerëzit zgjodhën tek ai shkrimtarin, pa i hequr asnjë meritë e lëvdatë, për ndihmën që dha në rrëzimin e komunizmit, e që gjithcka ndodhi paqësisht, pa gjakderdhje.

FOTO GALERI
2/8
Ish-Presidenti i SHBA, Bill Clinton, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe udheheqes te tjere shtetes nderojne kujtimin e Havelit

Top Channel