Rusi, Putin 10 llogari bankare

22/12/2011 00:00

Komisioni elektoral në Rusi ka publikuar pasuritë e kryeministrit
Vladimir Putin, në cilësinë e kandidatit në zgjedhjet presidenciale të
vitit të ardhshëm.

Putin, sipas së përditshmes zyrtare “Rossiskaia Gazeta”, ka 10 llogari bankare me 5.7 milionë rubli, ose 138 mijë euro. Në katër vitet e fundit ai ka fituar 17.4 milionë rubli, ose 421 mijë euro.

Arkëtimet e tij vijnë nga rroga, interesat bankare dhe një pension ushtarak, ndërkohë që zotëron edhe 230 aksione të Bankës së Shën Pietërburgut.

Ndërsa bashkëshortja e tij, sipas së përditshmes ruse, ka 4 llogari bankare me 8.3 milionë rubli ose 201 mijë euro në dispozicion.

Zgjedhjet presidenciale janë caktuar të mbahen në mars, c’ka i lë shefit të qeverisë ruse më pak se tre muaj kohë për të hartuar një strategji të re, pas akuzave për manipulime në zgjedhjet parlamentare.

Shumë analistë mendojnë se Putin për të mbajtur pushtetin do të bëjë “kurban” bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Dmitry Medvedev, duke mos e caktuar si kryeministër.

Në garën për Kremlinin, kryetari i Partisë Rusia e Bashkuar do të ketë përballë oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar “një konkurrent të fortë”.

“Nuk dua t’i bëj urime, sepse edhe unë garoj si kandidat, por ai do të jetë një konkurrentë i fortë”, tha rreth një javë më parë Putin për rivalin e tij.

Prokhorov është oligarku i parë rus që zbret në fushën e politikës, tetë vjet pas arrestimit të ish-bosit të kolosit “Yukos”, Mikhail Khodorkovski, i dënuar në dy procese që thuhet se janë orkestruar nga regjimi putinian.

Top Channel