SHBA, avioni rrëzohet në autostradë

21/12/2011 21:25

Një avion i vogël privat është rrëzuar në një autostradë të Nju Xhersit, duke shpërthyer menjëherë dhe duke vrarë pesë personat që ndodheshin në bord.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave mes viktimave është edhe një biznesmen i njohur i Nju Jorkut.

Pavarësisht trafikut të rënduar në autostradë, numër 287, asnjë nga automobilistët ka mbetur i përfshirë në incident.

Avioni i vogël, një njëmotorësh i llojit “Socata”, ishte nisur nga aeroporti i Teterboros dhe ishte drejtuar për në Atlanta, në Xhorxhia.

Ai drejtohej nga biznesmeni Jeffrey Buckalew, 45 vjec, drejtor ekzekutiv i një shoqërie konsultimesh financiare në Manhatan, “Greenhill North American Advisory”.

Bashkë me biznesmenin, që ishte dhe pronar i avionit dhe kishte eksperiencë në fluturim, në bord ishin bashkëshortja e tij, dy fëmijët dhe një koleg i së njëjtës kompani, Rakesh Chawla.

Shkaqet e incidentit nuk janë përcaktuar ende, por nuk përjashtohet që të ketë qenë struktura e dobët e tij. Sipas mediave amerikane, një nga krahët e avionit u gjet në një pemë, rreth gjysmë kilometri nga vendi i përplasjes.

Top Channel