Moody’s: Edhe Britania rrezikon

21/12/2011 15:35

Rekordi britanik i kreditimit ndodhet nën rrezik nga kriza që ka prekur eurozonën, paralajmëron agjensia kryesore e vlerësimit, “Moody’s”.

Britania aktualisht është në nivelin më të lartë me tre AAA, por agjensia “Moody’s” thotë në vlerësimin e saj në fund të këtij viti, se ky rekord i shkëlqyer i Britanisë edhe pse është i sigurt për momentin, sërish ndodhet i rrezikuar nga sfidat e mëdha në rritje në muajt e ardhshëm.

Kjo agjenci konkludon se aftësia e Britanisë për të absorbuar goditjet e mëtejshme ekonomike është përkeqësuar gjatë 2011-s, për shkak të rritjes së dobët ekonomike të regjistruar.

Ky konkluzion përbën një goditje për politikat e koalicionit qeverisë në Britani i cili është duke aplikuar prej kohësh masa të ashpra ekonomike në përpjekje për të stabilizuar financat publike në një plan afatgjatë. Cdo ulje e mundshme në klasifikimin e kredititmit do të rrezikojë padyshim rigjallërimin e vështirë ekonomike në vend.

Një zëdhënës i qeverisë tha se “kriza është duke dhënë efektet shkatërruese në mbarë Europën dhe është e rëndësishme që eurozona të vazhdojë të ndërmarrë veprime decizive për të zgjidhur problemet me të cilat ndeshet”.

Në javet e fundit është shtuar retorika mes Parisit dhe Londrës për gjendjen e ekonomive respektive, pas sulmeve franceze të kryesuar nga ato të kryeministrit Fillon.

Por agjensia “Moody’s” thekson se Britania është një nga ekonomitë më të mëdha konkuruese dhe më të avancuarat në botë, ku monedha kombëtare sterlina dhe Banka Qendrore e Anglisë i ofrojnë Britanisë fleksibilitetin e domosdoshëm për të reaguar ndaj goditjeve ekonomike dhe financiare në botën e sotme tejet të ndërvarur ekonomikisht.

Top Channel