Gjirokastër, kriza greke përkeqëson gjendjen financiare të biznesit

21/12/2011 08:35

Dy fabrika me rreth 300 punëtorë, që deri dje kanë punuar me material të porositur nga Greqia në prodhimin e veshjeve e këpucëve, u mbyllën në Gjirokastër pasi punëdhënësit e tyre në Greqi nuk ofruan më punë, ndërsa aktiviteti është pakësuar ndjeshëm në tri kompani të tjera.

Lajmi bëhet i ditur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër. Kryetari i Dhomës, Mustafa Devolli është shprehur për gazetën ‘Shqip’ se zhvillimi i bizneseve në këtë qark përgjithësisht është vështirësuar në mënyrë të ndjeshme për faktin se shumë prej tyre operojnë me kontrata dhe porosi të bërë nga partnerë që e kanë veprimtarinë në tregun e shtetin grek, duke nisur në radhë të parë nga industria me fasonët, e më tej edhe në sektorë të tjerë si sektori i ndërtimit, supermarketet, industria ushqimore, përpunim druri etj.

“Bizneset kanë marrë masa për të mbijetuar në treg, por gjendja e vështirë e partnerëve grekë reflektohet dhe ka shkaktuar probleme të mëdha deri në mbylljen e përkohshme dhe të përhershme të veprimtarisë ekonomike në disa linja konfeksionesh që punojnë me material dhe porosi të partnerëve grekë”, ka thënë ai.

Sipas Devollit, edhe veprimtaritë e tjera të përbashkëta të import-eksportit nuk janë në nivelet e mëparshme dhe kjo gjendje ka diktuar bizneset vendase të ulin produktivitetin dhe efektivitetin ekonomik, pasi janë të detyruar të tregojnë me çmime të ulëta, për të mos humbur pozicionin e tyre në treg.

Mustafa Devolli shprehet se nga kontaktet që ata kanë me bizneset, numërohen rreth 35-40 ndërmarrje që janë prekur direkt nga kriza greke, që i ka dhënë një goditje të madhe disa ndërmarrjeve, kryesisht ato që i përkasin industrisë së fasonit.

Biznesmeni S.K. që ka pezulluar aktivitetin me fason për shkak të rënies drastike të kërkesës nga Greqia, shprehet se kriza greke ka shkaktuar rënien e numrit dhe vlerës së tenderëve publikë në Greqi dhe kjo ka ndikuar në rënien e porosive me fason që realizohen në bashkëpunim me biznesin e rajonit jugor të Shqipërisë.

Në këto pesë-gjashtë vjetët e fundit këto biznese kanë pasur si porositës, qeverinë greke për veshjet e ushtrisë e marinës greke dhe sigurisht fasonët në këtë marrëdhënie biznesi kanë rolin e nënkontraktorëve.

Top Channel