CNN shkurton stafin

21/12/2011 21:35

Rrjeti informativ amerikan, CNN ka njoftuar një vendim që ka shkaktuar shumë diskutime, shkarkimin nga puna të 50 personave, mes të cilëve gazetarë e fotoreporterë.

“Ndryshimet vijnë si pasojë e një orientimi të ri dhe jo nga një plan eventual për shkurtim shpenzimesh”, ka sqaruar bordi drejtues i CNN.

Megjithatë, një shkak tjetër është edhe përdorimi gjithnjë e më në rritje i iReport, platforma që mbledh kontributet e abonentëve.

Gazetat “Denver Post” dhe “San Francisco Chronicle” kanë kritikuar planin në fjalë, duke shtruar përpara edhe një problem: “Si mundet që një platformë të verifikojë lajmet dhe fotot nëse nuk ka qenë e pranishme?”.

Cable News Network, sic njihet ndryshe, CNN është një kanal kabllor amerikan i themeluar në vitin 1980 nga Ted Turner. Që nga lancimi i tij, CNN ka qenë i pari që ka mundësuar mbulimin 24 orë në 24 me lajme në Shtetet e Bashkuara.

Në radhët e tij ai numëron shumë të punësuar. Zyra qendrore e CNN është në Atlanta, më pas vijnë selitë e tjera si “Time Warner Center” në Nju Jork dhe studiot në Uashington D.C e Los Anxhelos.

CNN zotërohet nga kompania mëmë “Time Warner” dhe është një divizion i “Turner Broadcasting System”. Nga gushti i vitit 2010 kanali është në dispozicion të 100 milionë banorëve në Shtetet e Bashkuara, ndërsa transmetimet shtrihen edhe në mbi 890 mijë dhoma hotelesh amerikane, si dhe në Kanada. 

Top Channel