Cmimi “Dritan Hoxha”

21/12/2011 20:00

Për shumëkënd, edhe për ata që nuk janë historianë, emri i Kristo Frashërit është mjaft i njohur, ndonëse mund të mos kenë lexuar asnjë prej veprave të tij.

Por kur shikon pastaj më me hollësi se cfarë ka bërë prej gati trecerek shekulli, atëhere kupton se fondacioni “Dritan Hoxha” nuk mund të kishte bërë zgjedhje më të mirë, të paktën për këtë vit, për t’i dhënë dikujt 10 mijë euro.

Kristo Frashëri është historiani i temave të mëdha të historisë së Shqipërisë. Cka shkon në logjikën e fondacionit, që vlerëson përvit një personalitet që ka kontribuar në promovimin e historisë, kulturës, artit apo cështjes shqiptare, por edhe të televizionit Top Channel.

“Ne kemi mundur të sjellim të gjithë shqiptarët më pranë njëri-tjetrit, kemi bashkuar trojet, ku tashmë kufijtë nuk kanë aspak rëndësi. Kemi rrëzuar muret dhe kemi sjellë më afër shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi e kudo ku ka shqipfolës. Një arritje e madhe, një tjetër ëndërr e madhe e Tanit e bërë realitet! Dhe kjo është një ndër arsyet se përse vendosëm që këtë vit, në këtë përvjetor të Top Channel, Çmimin e Fondacionit “Dritan Hoxha” për vitin 2011 t’ia jepnim një studiuesi të njohur, një njeriu që ka dhënë kontributin e tij edhe për çështjen tonë kombëtare. Ky çmim shkon për Profesor Kristo Frashërin”, deklaroi zonja Vjollca Hoxha, presidente e Top Media, në mbrëmjen gala të zhvilluar të martën.

I lindur në Stamboll në vitin 1920, që nga viti 1927 profesori ka jetuar kryesisht në Shqipëri. Ai i është përkushtuar historisë, duke korrigjuar shtrembërimet që historiografia e huaj moderne i ka bërë historisë së vendit.

Profesori ka ndricuar të vecantat e qytetërimit iliro-shqiptar, duke argumentuar prejardhjen direkte të shqiptarëve nga ilirët. Në kundërshtim me tezat e shumë historianëve të huaj, profesor Kristo Frashëri ka sqaruar në mënyrë bindëse praninë e shqiptarëve gjatë Mesjetës së hershme në trojet e tyre të sotme.

Një sintezë të elementëve kryesorë të qytetërimit shqiptar përmban punimi i tij “Historia e Qytetërimit Shqiptar”. Një nga veprat e tij madhore është pa dyshim “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, një histori thellësisht e dokumentuar.

Ka arritur ta veçojë historinë e shqiptarëve nga ajo e perandorisë osmane gjatë pesë shekujve të sundimit turk. Po ashtu ka dhënë një kontribut të veçantë në historinë e Rilindjes Shqiptare, ku “Historia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” përbën, së bashku me historinë e “Gjergj Kastrioti Skënderbeut” kontributin më të madh që ka arritur historiografia shqiptare gjatë dekadave të fundit.

“Historia e Kosovës Antike” është gjithashtu një vepër e tjetër me mjaft vlerë. Vepra të tjera janë “Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve”, “Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera”, “Polemika mbi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, etj.

Aktualisht profesor Kristo Frashëri po punon për dy monografi, njëra me titull “Shqipëria në Konferencën e Paqes të vitit 1946”, dhe tjetra “Epiri dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë shekujve”. Profesori e kishte të pamundur të zhvendosej në mbrëmjen gala për të marrë cmimin, por bëri një përshëndetje për të pranishmit.

“Jam e nderuar t’ju dorëzoj këtë cmim për kontributin tuaj në fushën e historisë dhe forcimit të identitetit kombëtar”, i tha drejtuesja e fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako profesor Frashërit, i cili nga ana e tij u shpreh:

“Faleminderit, nuk e prisja këtë cmim, por më sjell kënaqësi. Jam shumë i kënaqur për cmimin e Top Channel, pasi “Dritan Hoxha” është një fondacion i rëndësishëm. Ju falenderoj. Unë, në atë pak jetë që më ka mbetur, do të përpiqem të vazhdoj punën time si historian”.

I krijuar 2 vjet më parë, për të nderuar kujtimin e Dritan Hoxhës, themeluesit të grupit Top Media, fondacioni “Dritan Hoxha” ia atribuoi cmimin e tij parë eurodeputetes Tanja Fajon për kontributin e saj për liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Duke qenë se statusi i eurodeputetes ia ndalonte marrjen e dhuratave mbi një vlerë të caktuar, zonja Fajon i dhuroi 10 mijë eurot e cmimit për bamirësi në favor të shtëpisë së foshnjave në Tiranë.

Top Channel