Qeveria emeton bono thesari në euro

20/12/2011 08:20

Banka e Shqipërisë pritet të emetojë sot (e martë) 10 milionë euro bono thesari, një fenomen i rrallë ky, i kryer vetëm në rastet kur vërehet mungesë likuiditeti në lekë në sistemin bankar.

Sipas gazetës “Shqip”, bonot e thesarit emetohen gjithmonë në lekë, por gjatë dy viteve të fundit janë shënuar disa raste të emetimit të bonove në euro, ku qeveria pranon një interes më të lartë real si dhe ekspozohet ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Në qershor 2010, qeveria zhvilloi një ankand të konsideruar nga Ministria e Financave si “i jashtëzakonshëm”, ku u emetuan 25 milionë euro bono me afat nëntëmujor përkundrejt interesit mesatar të ponderuar prej 6.05 për qind.

Në atë kohë, qeveria nuk i kishte emetuar ende eurobondet, të cilat tani mund të shërbejnë si një çmim referencë për bonot në euro.

Në mars të këtij viti, Ministria e Financave emetoi 17.5 milionë euro bono 9-mujore në euro përkundrejt interesit mesatar prej 6.39 për qind, ndërsa sot pritet të emetohen 10 milionë euro të tjera.

Kursi i këmbimit duket se nuk krijon probleme për qeverinë në rastin e emetimit të bonove në euro, për shkak se pavarësisht se të ardhurat e buxhetit janë në lekë, 70 për qind e tyre arkëtohen në dogana për mallrat e importuara.

Rrjedhimisht, dobësimi i lekut kundrejt euros, nga njëra anë rrit koston e bonove në euro dhe nga ana tjetër rrit të ardhurat e qeverisë në dogana.

Bankat që prej disa vitesh kanë akumuluar më shumë depozita në valutë të huaj se sa në lekë, ndërsa edhe kapitali i tyre aksioner është paguar në euro.

Interesat e bondeve sovrane në euro të emetuara nga Shqipëria vitin e kaluar kanë arritur në mbi 11 për qind në tregun ndërkombëtar gjatë javëve të fundit, duke e mbyllur efektivisht mundësinë e huamarrjes së re ose diversifikimit të kohës së emetimit të bondeve përmes operacioneve të blerjes dhe riemetimeve.

Rritja e interesave të bondeve sovrane të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar nuk ka efekt tani për tani në buxhetin e shtetit, pasi qeveria do të vijojë të paguajë interesin 7.5 për qind, për të cilin u ra dakord në çastin e emetimit.  

Top Channel