Vdekja e Kim Jong-il përbën momentin e së vërtetës për Korenë e Veriut.
Komunizmi unik dhe ultraizolacionist në Kore ka rezistuar për më shumë se dy dekada pas rënies së tij në pothuajse të gjithë vendet dikur komuniste dhe kjo për meritë edhe të figurës së fortë të Jong-il.
Më mënyrë të pazakontë, Korea e Veriut është shndërruar në vendin e vetëm në botë që ka krijuar një dinasti familjare të udhëheqësve komunistë. Përpara Jong-il ishte babai i tij, themeluesi i regjimit, lideri i madh Kim il-Sung.
Pyetja e madhe që të gjithë shtrojnë është, a mund të trashëgohet pushteti përsëri? Ndonëse Kim Jong-un u etiketua menjëherë nga media shtetërore si pasuesi i madh, 20 vjet ndryshime në botën përreth dhe zero vite përvojë në drejtimin e një shteti e shndërrojnë atë në një “bast të rrezikshëm” për komunizmin.
Kim il-Sung u mësoi Kim Jong-il se si të bëhej pasardhësi i tij për 30 vjet me radhë, ndryshe nga “lideri suprem” i saposhpallur, i shkolluar në Zvicër dhe me vetëm dy vjet pune si “çirak”, përkrah “babait të madh” të Koresë së Veriut.
Atëherë, çfarë do të ndodhë? Bota vetëm sa mund të qëndrojë dhe të shikojë çfarë do të ndodhë, pasi një gjë është e qartë, çdo ndryshim në vendin më të izoluar të botës mund të nisë vetëm nga brenda.
Një ndryshim të tillë, i pari që mund ta sjellë është vëllai i Kim Jong-un, Kim Jong-nam, një reformator i njohur që jeton në Kinë. Nëse lideri aktual nuk do të jetë në gjendje të vendosë një pushtet absolut, Kim-nam mund të luajë një rol në vendin aziatik, edhe pse jeton i qetë në Kinë dhe i tërhequr nga jeta politike.
Në radhë të dytë, ndryshimi mund të vijë edhe nga përplasja e tre aparateve më të mëdha burokratike në vend, nga Partia, Komitetit Drejtues i saj dhe ushtria. Askush nuk ka mundur ta verifikojë, por qarkullojnë zëra se midis drejtuesve të lartë të partisë, disa prej të cilëve prej 40 vitesh në udhëheqje, nuk u prit me kënaqësi etiketimi i Jong-un si lideri i ardhshëm i vendit.
Sipas tyre, për të garantuar përparmimin e “marksizëm-komunizmit” në vend, ishte e domosdoshme që pushteti t’i besohej ndonjë prej shokëve të afërt të partisë.
Sidoqoftë, me vdekjen e Kim Jong-il, rihapet edhe një herë loja diplomatike e shahut, me vende si Korea e Jugut, Kina, SHBA, Rusia dhe Japonia, që mund të përpiqen të sigurojnë një rol më të madh tek autoritetet e reja drejtuese të vendit.
Ka nga ata që parashikojnë një zbutje të klimës së vendit të pajisur me armë bërthamore, një tranzicion drejt një komunizmi të llojit kinez. Megjithatë, është e qartë që për momentin, Korea e Veriut është shndërruar në një ankth për të gjithë komunitetin ndërkombëtar.
Marrë nga “BBC”
Vdes lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-il
U nda nga jeta në moshën 69-vjecare presidenti i Koresë së Veriut, Kim Jong-il për shkak të një infarkti në zemër.
Koreja e Veriut shpalli 12 ditë zie kombëtare deri më 29 dhjetor, ndërsa funerali do të zhvillohet më 28 dhjetor.Lajmi për vdekjen e liderit u dha nga agjencia zyrtare e shtypit në Penian, KCNA, dhe më pas nga televizioni shtetëror. Spikerja televizive shpërtheu në lot në momentin e dhënies së lajmit drejtpërdrejt për teleshikuesit.
Kim Jong-il ishte një prej personave më të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare që ka udhëhequr për më shumë se 17 vjet vendin më të izoluar në botë. Sipas KCNA-së u godit nga një formë e rëndë e infarktit dhe nga një iktus në mesnatën e së premtes duke u gdhirë dita e shtunë, por lajmi është dhënë vetëm pak më parë. Kim ndërroi jetë ndërsa ndodhej në tren, në kuadër të vizitave të tij misterioze nëpër vendin aizatik.
Në njoftimin e agjensise i behet thirrje koreano-verioreve te bashkohen pas liderit te ri. “Të gjithë anëtarët e partisë, ushtaraket dhe publiku duhet te ndjekin me besnikeri lidershipin e shokut Kim Jong-un, te mbrojne e te forcojne me tej frontin e tyre te bashkuar”, thuhej ne deklarate. Kim Jong-il erdhi në pushtet pas vdekjes së te atit, themeluesit të Koresë së Veriut Kim-il Sung në vitin 1994. Informacioni i besueshëm për të dhënat biografike të zotit Kim është i paktë. Ai i shmangte daljet ne publik dhe zeri i degjohej rralle në transmetimet radio-televizive.
“Kim,- thote Zeri i Amerikes,- mund të mbahet më shumë mend për sfidimin e komunitetit ndërkombëtar dhe forcimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, ndërkohë që miliona banorë të vendit vuanin nga uria”. Në fund të vitit të kaluar, ai i dha djalit te vogel, gradën e gjeneralit me katër yje, veprim që u konsiderua si përpjekje për trashëgimin e pushtetit në Korenë e Veriut brezit të tretë të familjes se konsideruar si dinastia e vetme komuniste në botë.
Ndërkohë Koreja e Jugut ka vënë në gjendje alarmi forcat e armatosura. Po ashtu edhe qeveria japoneze është mbledhur menjëherë dhe ka vendosur që të mbajë kontakte të fuqishme gjatë këtyre orëve me SHBA-të, Kinën dhe Korenë e Jugut për të reaguar menjëherë ndaj skenarëve të mundshëm.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë të ditur se pas këtij zhvillimi në Korenë e Veriut, situata po monitorohet.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se SHBA-ja mbetet e angazhuar për stabilitetin në gadishullin korean dhe për lirinë e sigurinë e aleatëve.
Top Channel