Reforma zgjedhor, PS: Gati të shqyrtojmë ndryshimin e sistemit

18/12/2011 15:45

Nevoja për ndryshim e sistemimit zgjedhor e ngritur me forcë ditët e fundit nga partitë e vogla pjesë e koalicionit të djathtë dhe atij të majtë duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.

Të paktën nga Partia Socialiste. Disa ditë më pare, kreu opozitës Edi Rama tha se PS ka vullnetin e plotë për të dëgjuar dhe për t’u dakortësuar me të gjitha partitë e vogla të interesuara për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i  Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, flet për një konsensus që duhet gjetur për ndryshime në sistem.

“Qëndrimi i PS-së ka qenë i qartë, është bërë publik që ne jemi për gjetjen e një konsensusi se si mund ta rishikojmë sistemin zhgjedhor. Partia Demokratike, qoftë edhe nga deklarimet e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, megjithëse qe ai i pari që e nxiti idenë e rishikimit të sistemit zgjedhor, ka një ndryshim qëndrimi. Ne jemi të hapur që të dëgjojmë edhe partitë e tjera që së bashku të gjejmë një formulë që adreson edhe stabilitetin në qeverisje, por edhe përfaqësimin më të mirë në Kuvendin e Shqipërisë”, thekson Gjiknuri.

Mbetet për t’u parë sa efektiv është presioni i nisur nga  partitë e vogla ndaj dy forcave më të mëdha politike, nëse sistemi aktual spanjoll do të zëvëndësohet nga një i ri prej të cilit të vegjëlit shpresojnë të përfitojnë.

Top Channel