Monument për tragjedinë e Otrantos

17/12/2011 21:05

Një fener i anijes shqiptare “Kater i Radës” do të çohet në Vlore duke u kthyer në një vepër arti, një simbol kujtimi dhe një urë dialogu mes dy brigjeve të Adriatikut.

Është ky rezultati i shkëlqyer i arritur brenda pak ditësh nga dy artistët shqiptare, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, pjesëmarrës në grupin tetë artistëve që po ndjekin projektin e kthimit në monument të pjesës së sipërme të anijes “Kater i Radës”.

Folëm me artisten Arta Ngucaj e cila është me origjinë nga Vlora e që mes viktimave të mbytjes ka pasur miq e të afërm të familjes.

“Para kërkesës sonë për të kthyer një pjesëz të vogël, por tepër simbolike të anijes Kateri i Radës në Vlorë, arritëm të lidheshim me kryetaren e Shoqatës së Viktimave të Otrantos. Kemi ndjerë veten si mediator të kësaj situate pasi kishte një mungesë të fortë dialogimi nga të dyja anët. Tashmë ne kemi arritur të marrim një fletë zyrtare për marrjen e pjesës së anijes, si nga ana politike dhe nga ana ekonomike për të realizuar këtë projekt. Do jemi vetëm në Shqipëri për ta realizuar veprën. Atje duhet të ndërhyjë edhe politika e vendit. Por, derisa ja dolëm këtu, jemi mëse të bindur se edhe në Shqipëri do t’ia dalim. Kjo punë do të realizohet”, thotë  artistja, Arta Ngucaj.

Arta Ngucaj ndodhet ende në Otranto ku monumenti, që i është besuar skulptorit grek Costas Varotsos, do të inaugurohet me 29 dhjetor.

Top Channel