Leskaj miratohet si kreu i KLSH-së

15/12/2011 19:50

Me një diferencë të ngushtë prej nëntë votash, Parlamenti miratoi dekretin e Presidentit për emërimine Bujar Leskajt si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Mazhorances i munguan tre vota pro, pasi deputetët e saj, Ilir Rusmali, Fatos Hoxha dhe Viktor Gumi abstenuan për këtë dekret të Presidentit, i cili u pranua nga mazhoranca me argumentin për të mos çuar institucionet në krizë.

Ne votim mungoi edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili në mbledhjen e grupit, para tre ditësh, ishte shprehur pa ndonjë vlerësim pozitiv për ish-Ministrin e tij të Kulturës dhe Turizmit, Bujar Leskaj.

Ndërkohë, nga opozita, Bujar Leskaj ka marrë votën pro vetëm të kryetarit te PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa gjithë socialistët votuan kundër.

Në fund të serisë së votimeve, mazhoranca votoi pro edhe shtyrjes për një vit të mandatit te Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.

Opozita votoi kundër, por nuk beri asnjë shpjegim vote për zgjatjen e mandatit të ketij komisioni, i ngritur gati një vit më parë, pas demonstratës së 21 janarit.

Top Channel