Reforma kushtetuese në Kosovë nuk do të jetë plotësisht fuksionale nëse nuk ndryshohet neni 84 që flet për kompetencat e presidentit të ardhshëm.
Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe kompetencat e tij duhet të ndryshohen nga ato që aktualisht janë për presidentin që e ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës.
Deklaratat vijnë njëzëri nga Komisioni Parlamentar ku prej disa muajsh ka filluar puna për ndryshimin e disa pjesëve të Kushtetutës.
Arsim Bajrami, që e drejton Komisionin për Ndryshime Kushtetuese, “zbulon” për Top Channel se të gjitha subjektet parlamentare kanë rënë dakord që të kërkohet një mandat shtesë nga Kuvendi, në mënyrë që të ndërhyjnë në nenin 84, madje disa kanë kushtëzuar votimin e ndryshimeve nëse nuk ndryshohet edhe ky nen.
“Disa parti e kanë kushtëzuar votimin e amandamenteve me një mandat shtesë të Komisionit që të merret edhe me atë çështje. Është në autoritetin e Kuvendit që të kërkojë nga Komisioni që që të rregullojë edhe nenin 84, në mënyrë që kur të zgjedhet presidenti i ardhshëm, ai jo vetëm që do të ketë legjitimitet të drejtpërdrejtë nga populli, por do t’i ketë edhe kompetencat saktësisht të përcaktuara me amandamente që rregullojnë këtë nen”, deklaron Bajrami.
Për këtë arsye, sipas Bajramit, javën e ardhshme krahas dorëzimit të ndryshimeve në Kuvend, do të bëhet edhe një kërkesë nga Legjislativi për një mandat të tillë.
Në dy raste, brenda një periudhe në më pak se një vit, Kosova ka pasur dy probleme me presidentët që janë zgjedhur nga Kuvendi. Tashmë kjo mendohet të shmanget duke e zgjedhur presidentin drejtpërdrejt nga populli, që njëherësh do ta ndante atë nga koniukturat politike.
“Sa i përket fuqisë së presidentit, atëherë ne po shkojmë drejt një sistemi të përzierë të qeverisjes. Një sistemi ku presidenti ka një autoritet mjaft të fuqishëm në bazë të nenit 84. Por do të kemi një sistem ku rregullat e parlamentarizmit do të funksionojnë në raportet e qeverisë me Parlamentin. Qeveria do të funksionojë si qeveri parlamentare, e dalë nga Parlamenti, kurse presidenti do të ketë një autoritet krejtësisht të pavarur, të shkëputur nga konjukturat politike, nga qeveria dhe Parlamenti”, saktëson Bajrami.
Komisioni për Ndryshime Kushtetutese ishte formuar pas marrëveshjes politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit, dhe fillimisht si qëllim kryesor kishte vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit.
Deri më tani të gjithë presidentët që ka pasur Kosova janë zgjedhur nga Kuvendi, por në zgjedhjet e ardhshme “i pari i shtetit” do të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.
Top Channel