Halimi: Reforma në drejtësi kërkon konsensus

13/12/2011 09:50

Ka nisur në Tiranë konferenca e shërbimit të proves, e drejtuar nga ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, i cili e ka vënë theksin tek rëndësia e reformës zgjedhore.

“Për reformën në drejtësi duhen edhe ligjet me tre të pestat. Gjithashtu, në këtë drejtim është e rëndësishme ndihma dhe sinjalet e ndërkombëtarëve”, ka deklaruar Halimi.

Më tej ministri i Drejtësisë ka vlerësuar si një mekanizëm të suksesshëm të reformës në drejtësi dënimin alternativ.

Ai ka hedhur poshtë duke cilësuar si të papranueshme krahasimin dhe etiketimin e një gjykate të tërë me në bandë kriminale.

Reforma në drejtësi është një ndër kriteret kryesore që i paraqitet vazhdimisht Shqipërisë nga faktori ndërkombëtar për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

Në një letër të hapur që eurodeputetët Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda i drejtonin kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës Rama në fund të muajit të kaluar, reforma në drejtësi konsiderohej një domosdoshmëri.

Po muajin e kaluar ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Makwlluem deklaroi gjatë një takimi në Shkollën e Magjistraturës, se drejtësia e fortë dhe e pavarur është një kusht për të ecur përpara drejt BE.

“Shteti i së drejtës dhe drejtësia janë në themel të vlerave të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe zemra e një demokracie funksionale dhe të suksesshme. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të perparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi ajo.

Gjithashtu, një konferencë për drejtësinë u zhvillua në Tiranë një javë më parë, ku morën pjesë ekspertë për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese.

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu tha se ndryshimet më të vonshme kushtetuese u bënë në vitin 2008, vetëm nga 2 parti politike, gjë që sipas tij nuk është e drejtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA