Në prapaskenat e “Portokallisë”

12/12/2011 19:20

Siç mund ta keni vënë re edhe nga spotet e javës, 20 dhjetori shënon 10 vite nga transmetimi i parë i ‘Top Channel’, 10 vite që ky televizion ka hyrë në shtëpitë tuaja dhe është bërë tashmë shoqërues i pandashëm i çdo dite.

“Portokalli”, një ndër programet në transmetim që prej tetë vitesh, është një prej tyre që ka njohur suksesin më të madh në ekranin tonë. Personazhet kanë ndryshuar, skena ka ndryshuar, skeçet ndryshojnë nga java në javë e gjithçka ikën aq shpejt sa një rikthim i momenteve më të bukura është gjithmonë emocionues.

Megjithatë, emisioni i “Pasdites” solli të hënën një anë të “Portokallisë” që nuk është parë kurrë, atë të momenteve që nuk dihen, ato që ndodhin në prapaskenën e programit më të suksesshëm të humorit shqiptar.

Prapavija e “Portokallisë” përbëhet nga mjeshtra që ne i njohim vetëm për emër, por që janë shtylla të suksesit të spektalit që ngujon shikuesit çdo të dielë përpara ekranit. Kush nuk është mahnitur nga portretet që realizon Edmond Lako me shpurën e tij të grimierëve të talentuar. Janë personazhe të transformuar në dhomën e grimit, që na bëjnë të qeshim ende pa hapur gojën aktorët.

Po të njëjtin efekt kanë edhe kostumet e realizuara nga Ilirjana Loxha Basha. Janë qindra e qindra veshje të krijuara enkas vetëm për personazhet e “Portokallisë”, të cilat së bashku me grimin, japin prezantimin e parë të rolit të aktorit.

Duke dalë një plan më larg, Fatmir Minga me skenografitë e tij i jep çdo sezon një profil të veçantë programit aq të dashur për shqiptarët. Që nga skenografia e parë që simbolizonte idenë e një tuneli ku mbizotëronte ngjyra portokalli edhe evolimin e saj deri tek fjalët më të fundit të teknologjisë.

Megjithëse qeshim pa fund me batutat e tyre, pak prej nesh mund të njohin dy penat më të shkëlqyera të humorit shqiptar, skenaristët Vangjel Kozma dhe Jani Duri. Këta të fundit ndërtojnë shfaqjen e plotë duke dhënë lëndën e parë. Janë rreth 5 mijë pjesët e shkruara deri tani, jo vetëm prej tyre, por edhe prej aktorëve që shkruajnë edhe vetë pjesët e tyre të spektaklit.

Ndoshta nga më të njohurit nga prapavija e “Portokallisë” është regjizori Altin Basha dhe kjo më shumë për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tij në “Albanians Got Talent”. Regjizor që në themelim, Basha çdo sezon të “Portokallisë” e ka kthyer në një qelizë ku vërtiten personazhet.

Por, nëse këta janë shtyllat e padukshme që mbajnë në këngë programin më të suksesshëm të humorit shqiptar, nuk duhen harruar me dhjetëra e dhjetëra teknikë e specialistë, falë punës së të cilëve vetëm gjatë këtij sezoni janë realizuar mbi 200 seri televizive.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta