
Emri dhe koncepti i “Portokallisë” u soll në “Top Channel” nga themeluesi i rrjetit tonë mediatik, presidenti i ndjerë Dritan Hoxha. AI u frymëzua nga spektakli “Zelig” në Itali, për të bërë diçka të përafërt por duke iu përshtatur realitetit shqiptar.
Një nga njerëzit e parë që zoti Hoxha kontaktoi ishte Agron Llakaj, i cili më pas u bë drejtor artistik dhe prezantues i “Portokallisë” deri para një viti. Ai ndau me “Pasditen” disa nga kujtimet e tij për fillimet e programit më të suksesshëm të humorit në ekranet shqiptare.
Krahas tij, bashkëprezantuese për pjesën më të madhe të kohës ka qenë edhe Amarda Toska, e cila edhe pse nuk është më në këtë spektakël shprehet se vazhdon të ndjehet ende pjesë e Portokallisë. “Frika dhe stresi tek ne fillimisht ishte shumë i madh, pasi duhet të realizonim në katër ditë diçka që trupat e mëparshme të humorit iu duhej katër muaj për ta bërë”, dëshmon fillesat Llakaj. “Natyrisht, nëse do të kishte qenë një njeri tjetër që do të na kishte thënë ju do të bëni këtë, e do të na jepni kaq lekë fitim, do të kishim dështuar. Por, ne na udhëhoqi një njeri që na tha: “Ju punoni sikur kjo s’do të dalë kurrë”. “Portokallia”, jo vetëm u shndërrua në një program jashtëzakonisht të suksesshëm humori, por edhe gjithmonë më ka pëlqyer ta them, në një epidemi të vërtetë. Mbaj mend me qindra mijëra letra, emaile, njerëz që vinin dhe na dukej vetja si të ishim pjesë të Hollivudit. Jashtë Piramidës ku e filluam “Portokallinë” biletat shiteshin që tre javë përpara. Edhe unë i bashkohem urimit të të gjithë atyre që kanë punuar sadopak për këtë program, pasi numri dhjetë është shumë i bukur. Ta gëzojë “Top Channeli””.
Nga ana e saj, Amarda Toska, prezantuesja më jetëgjatë e programit, ndau gjithashtu në një intervistë emocionet e saj të rralla në prezantimin e shout më të suksesshëm të vendit. “Emocionet që kam marrë nga ajo skenë dhe ajo punë kanë qenë me të vërtetë të forta. Jam rritur profesionalisht e kam takuar njerëz shumë të aftë e të talentuar. “Portokallia” ka qenë baza e formimit të imazhit tim publik në rolin e prezantimit dhe gjithmonë do t’i jem mirënjohëse “Portokallisë”. Edhe kur e shoh sot atë spektakël, vazhdoj të ndihem pjesë e di. Di gjithçka që ndodh pas asaj skene, gjithçka që ndodh në çdo cep të studios”, komentoi Ami.
Top Channel