Rama promovon “Kurbanin” në Tepelenë

10/12/2011 19:55

Edi Rama ishte të shtunën në Tepelenë ku promovoi librin e tij “Kurban”. Në fjalën e tij zoti Rama e konsideroi atë si një një libër që sheh nga e ardhmja dhe se ai nuk duhet parë e lexuar si një libër kujtimesh.

“Ky nuk është thjesht një libër për Tiranën, por për Shqipërinë”, u shpreh Edi Rama gjatë një takimi me qytetarë dhe simpatizantë të PS.

“Libri është një kontribut për të adresuar drejtpërdrejtë një sërë problemesh të rëndësishme që ka vendi. Një libër me propozime konkrete. Në libër flas konkretisht për sistemin e sotëm të taksimit në Shqipëri. Ky është një sistem i gabuar dhe pabesisht i mbrapshtë. Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit kërkon adresim të drejtpërdrejtë”, tha kryetari i Partisë Socialiste.

Gjithashtu, duke iu referuar pjesëve të librit të tij, zoti Rama theksoi domosdoshmërinë për ndërtimin e një Shqipërie të re.

“Qytetet tona kanë nevojë për plane konkrete zhvillimi. Po treten vlerat e tyre sociale, historike dhe turistike. Ne duam të ndërtojmë një Shqipëri të re, demokratike dhe sociale”, tha ndër të tjera në promovimin e “Kurban” në Tepelenë, Edi Rama.

Pas aktivitetit Rama shkroi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Twitter: “Në Tepelenë për librin dhe politikën me miq e qytetarë, veteranë e të reja dhe të rinj. Kohë e keqe, ditë e bukur”.

Të dielën e kaluar lideri i socialistëve promovoi librin e tij në Shkup, ku për më tepër se dy orë iu përgjigj pytjeve të shumta që kishin të bënin sa me librin, aq edhe me situatën politike në Shqipëri dhe Maqedoni.

Ndërsa në fillim të muajit Rama bëri promovimin në Vlorë, në një auditor ku ishin të pranishëm intelektualë, lexues, dashamirës të librit dhe shumë studentë. 

Top Channel