Firence, kryeqendra e rajonit të Toskanës renditet ndër qytetet më të bukura të globit dhe konsiderohet si një nga djepet e artit dhe arkitekturës botërore.
Vendi i origjinës së Rilindjes, sot është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit në UNESCO. Mes shumë artistëve që i lanë qytetit pasuritë e pacmueshme, janë emra të njohur të historisë së artit si Cimabue, Giotto, Andrea Pisano, Donatello, Michelangelo e Leonardo da Vinci.
Përpos pasurive materiale artistike, të parët u kanë trashëguar fiorentinëve pa dyshim edhe pasionin për artin. Përvec se e ruajnë më së miri ndër shekuj, kultivojnë edhe atë bashkëkohor.
Shembull i kësaj është mes të tjerash Firenze Biennale, e cila që nga viti 1997 ka mbledhur me mijëra artistë nga e gjithë bota.
Artisti vendas është piktori Bujar Arizi, sipas të cilit për mungesë mbështetjeje nga Shqipëria, në këtë konkurs ndërkombëtar përfaqëson Greqinë.
Ai paraqitet me tre punime, dy kompozime dhe një portret. Ndër vizitorët e shumtë në Biennale, që zgjat nga data 3-11 dhjetor, ka edhe shqiptarë.
Piktura, skulptura, instalacione, video-projeksione. Një mori idesh dhe gjetjesh nga artistë që vijnë nga mbi 60 vende të botës, të cilët kanë sjellë vepra që përcjellin mesazhe pozitive, mes të tjerash për paqen, ambjentin, harmoninë në bashkësi.
“Filozofia e Biennale-s është që të përfaqësojë të bukurën në kontrast me gjithcka të shëmtuar që ndodh në botë. Mjaft me luftrat dhe shkatërrimin e monumenteve që kemi humbur gjatë shekjuve. Duhet të propagandojmë të bukurën edhe sipas mendimit të Cofi Annan, që thotë se të gjithë popujt duhet të jenë si një komunitet për t’u ndihmuar në mënyrë reciproke. Të gjithë popujt duhet të ndjehen të bashkuar në një komunitet botëror, që të mund të sjellë mirëqënie për të gjithë, pa ndarje racash, gjuhësh dhe feshë”, ka deklaruar Pasquale Celona, president i Bienales së Firences.
Top Channel