Berisha-Fillon, vlerësohen marrëdhëniet dypalëshe

10/12/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha u takua të shtunën në Paris me homologun
francez, Francois Fillon.Kryeministri Fillon i cilësoi marrëdhëniet
politike mes të dy vendeve si shumë të mira. Në vijim, ai shprehu
interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh.

Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Ministrave Kryeministri Berisha e siguroi kryeministrin Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim.

Duke folur për zhvillimet politike në vend, Berisha theksoi se gjendja dhe jeta parlamentare në Shqipëri janë normalizuar, ndërsa ka nisur zbatimi i reformave në kuadër të integrimit europian.

Në takim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Berisha: Integrimi prioritet, po bëjmë reformat

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka dhënë një intervistë për televizionin francez “TV5 Monde”, ku ka shprehur interesin e Shqipërisë për të zgjeruar marrëdhëniet me Francën.

“Qëllimi im kryesor është të punoj me qeverinë franceze. Jemi gati të intensifikojmë marrëdhëniet ekonomike me Francën”, ka deklaruar Berisha.

Pasi ka shprehur ambicjen për kthimin e Shqipërisë në një superfuqi energjitike, kreu i qeverisë ka ritheksuar se prioriteti i tij kryesor është integrimi i vendit në strukturat evropiane. Berisha nuk ka përmendur data, por ka përmendur vendosmërinë e tij, si dhe besimin tek mbështetja e partnerëve evropianë, përfshirë Francën.

“Pikërisht, kjo do të jetë një temë e diskutimeve. Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për antarësimin në NATO. Ne kemi patur probleme, por ato janë zgjidhur, prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian”, ka pohuar Berisha.

Më tej kryeministri ka akuzuar opozitën se është përpjekur të pengojë procesin në fjalë, por që sipas tij dështoi duke humbur në zgjedhjet e fundit lokale.

“Në dy vjet opozita ka bërë gjithcka për të penguar procesin e integrimit, duke menduar se kjo ishte mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet. Por në zgjedhjet lokale PS humbi”, ka nënvizuar Berisha.

Përsa i përket figurës së tij, gjatë intervistës ai ka lënë të kuptohet se për momentin nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika.

“Do të vazhdoj në politikë deri kur shqiptarët nuk do të më votojnë më. Deri atë herë unë do ta respektoj vullnetin e tyre. Unë eci drejt integrimit evropian”, ka thënë Berisha.

Top Channel