AKEP, çdo shqiptar ka nga dy numra celulari

10/12/2011 09:15

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bën të ditur se deri në fund të 6-mujorit të parë 2011, numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme arriti në afërsisht 4.74 milionë, e cila përbën një normë penetrimi (numri i përdoruesve për 100 banorë) prej 148 për qind, publikon gazeta ‘Shqip’.

Numri i përdoruesve celularë i referohet numrit të kartave SIM aktive dhe normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se 1 karte SIM si dhe prej përdorimit të kartave SIM nga vizitorët në një vend. Sipas kreut të AKEP, Pirro Xhixho, me të dhënat e fundit rezulton se të paktën çdo përdorues ka nga dy numra telefoni celular.

“Numri i përdoruesve është rritur rreth 200 mijë përdorues më shumë, krahasuar me numrin e pajtimtarëve të fund vitit 2010”, saktëson raporti.

Struktura e përdoruesve celulare, në përdorues me parapagim dhe me pas-pagim (kontratë), vazhdon të jetë pothuajse e qëndrueshme dhe në 6-mujorin e parë 2011, ku numri i përdoruesve me kontrate në raport me numrin total të përdoruesve celulare, është afërsisht 8.6 për qind.

Top Channel