Opozita radikale serbe ka djegur flamurin e Bashkimit Europian në një protestë të organizuar kundër integrimit. Ata kanë thënë se Serbia nuk ka nevojë për BE-në.

Shtyrja e vendimit për statusin e kandidatit për Serbinë ka ngjarë në një nga ditët më të rënda për shtetin serb, ndonëse ka qenë hera e parë që ka qenë kaq afër.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit Boris Tadic, i cili ka thënë se Serbia nuk do të heqë dorë nga Bashkimi Europian. Ai është shprehur i bindur për vazhdimin e reformave, progresin në zgjidhjen e problemit të Kosovës, por me politikat e vjetra.

Tadic ka thënë se Serbia nuk mund të tërhiqet nga rruga e integrimit pasi kjo do të kishte pasoja të mëdha ndaj popullit, duke përmendur problemet e trashëguara dhe faktin që as në kohën e luftërave nuk ka pasur frikë.

“Serbia ka bërë shumë dhe tani mund të shikojë Bashkimin Europian në sy”, ka thënë ai.

Reagimet e opozitës kanë qenë të ndara lidhur me shtyrjen e statusit të kandidatit. Krahu nacionalist ka vlerësuar se ky është fundi i tradhtive dhe është një ngjarje pozitive për Serbinë.

Është kërkuar edhe dorëheqja e kryeministrit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.Liberal-demokrati Cedomir Jovanovic, ka thënë se kjo është një dëshmi e mosbesimit ndaj politikave të këtij shteti.

“Kemi bërë shumë pak për Europën”, ka thënë ai. Sipas Jovanovic, “Tadic nuk mund të kuptohet as brenda Serbisë, e jo më në BE. Andaj, duhet një politikë e re”.


Refuzimi i statusit
të vendit kandidat nga ana e Bashkimit Europian, ka sjellë koston e parë politike për klasën udhëheqëse në Serbi.

Sipas televizionit serb, B92  zv/kryeministri Bozidar Djelic, që ishte edhe përgjegjës për integrimin europian të vendit, dha dorëheqjen nga posti i tij duke komentuar se vendimi i samitit të Brukselit nuk ishte ajo që vendi i tij priste.

“Vendimi nuk ishte ai që ne prisnim. Kisha premtuar se nëse vendi nuk merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të jepja dorëheqjen, dhe ja ku po e mbaj fjalën time”, citohet Djelic nga mediat serbe.

Bashkimi Europian vendosi gjatë paradites së të premtes të shtyjë dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, pavarësisht realizimit të disa kushteve kryesore nga ana e Beogradit.

Vendimi i BE-së, i komunikuar gjatë samitit të Brukselit, shprehu qartë se mungesa e dialogut me Kosovën është ajo që po kushtëzon të ardhmen europiane të vendit.

”Serbia ka bërë një progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kriterit politik të Kopenhagenit dhe ka arritur një bashkëpunim plotësisht të kënaqshëm me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, në lidhje me personat e kërkuar që fshihen në Serbi. Megjithatë, Brukseli sheh me shqetësim refuzimin e përsëritur për t’u përfshirë në dialog me Kosovën, pavarësisht garancive dhe ndërmjetësimit të Bashkimit Europian”, shkruhej në raportin që iu paraqit Serbisë, të cituar nga “Radio Europa e Lirë”.

Në dokument, gjithashtu flitej për nevojën e përkushtimit në biseda me EULEX-in, misionin ushtarak të KFOR-it dhe për “angazhimin më të madh të autoriteteve serbe në largimin e barrikadave nga rrugët në pjesën veriore të Kosovës.

Shansi i radhës për të fituar statusin e vendit kandidat për Beogradin do të jetë në mars të 2012-s.

Siç raporton e përditshmja më e madhe serbe, “B-92”, çështja e kandidaturës serbe ka krijuar ndarje brenda vetë Bashkimit Europian. Nga ana e saj, Franca këmbënguli për t’i akorduar menjëherë Beogradit statusin, duke arsyetuar se “Serbia ka bërë atë që kishte në dorë të bënte për të fituar besimin e BE-së, me firmosjen e marrëveshjes për manaxhimin e integruar të kufijve me Kosovën”.

Megjithatë, një hap i tillë nuk u konsiderua i mjaftueshëm nga fuqi të tjera të mëdha brenda BE-së, si Gjermania, Austria, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Britania e Madhe besohet se mbështetën të gjitha qëndrimin e Berlinit.

Një ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, paralajmëroi Europën për fuqizimin e lëvizjeve nacionaliste në vend, në rast të refuzimit të statusit. Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Daçiç komentoi me cinizëm se “Serbia do të vazhdojë të ekzistojë edhe të nesërmen e vendimit, pavarësisht se cili do të jetë ai”.

Top Channel