Austria ka dalë hapur kundër dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë, për shkak të dhunës së ushtruar nga serbët në veri të Kosovës ndaj ushtarëve të KFOR-it.

“Dhuna e serbëve kundër ushtarëve gjermanë dhe atyre austriakë të KFOR-it në veri ka lënë gjurmët e veta dhe nuk do të kalojë pa pasoja për Serbinë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindeleger.

Sipas raportimeve të “RTK”, Spindeleger ka nënvizuar se Serbia nuk reagoi ashtu sic pritej ndaj sulmit të serbëve në veri dhe për rrjedhojë situata në këtë zonë të Kosovës është përkeqësuar shumë.

“Austria ka qenë gjithmonë një zë pro për statusin kandidat të Serbisë, por pas zhvillimeve të fundit ajo ka një qëndrim tjetër”, ka theksuar shefi i diplomacisë austriake.

Ministri ka deklaruar se, vetëm nëse Serbia, në mënyrë të besueshme, arrin të bindë vendet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe bën progrese të prekshme, Austria do të angazhohet që asaj t’i jepet statusi i kandidatit në mars të vitit të ardhshëm.

“Vetëm kur të plotësohen këto kushte Austria do të konfirmojë pajtimin e saj për dhënien e përhershme të statusit të kandidatit për Serbinë”, ka shtuar Spindeleger, para grupit parlamentar të partisë së tij.

Në fillim të muajit ishte kancelarja gjermane Angela Merkel që rikonfirmoi qëndrimin e Berlinit zyrtar kundër marrjes së statusit të vendit kandidat për Serbinë, edhe pse shumë nga vendet evropiane parapëlqejnë që shtetit serb t’i jepet një status të tillë.

Gjithashtu, tre ditë më parë, e përditshmja britanike “The Guardian” paralajmëroi se, Kosova po rrezikon Serbinë, pasi normalizimi i marrëdhënieve mes tyre po shihet si një kusht edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Ndërsa presidenti serb Boris Tadic deklaroi pas heqjes së barrikadave në Zubin Potok se vendi i tij ka bërë mjaftueshëm për të fituar statusin e vendit kandidat.

Top Channel