Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, paralajmëroi se nëse Serbisë nuk do t’i akordohet statusi kandidat për integrimin në BE, vendi do të përballet me një rritje të re të rrymës së nacionalizmit.

Tadiç shtoi se edhe nëse Europa do të vazhdojë të jetë skeptike dhe do t’i mbyllë portat Serbisë, diçka e tillë do të nuk do të ishte fundi i botës, pasi “Serbia do të vazhdojë të ekzistojë edhe të nesërmen e vendimit, në 10 dhjetor”.

”Dhënia e statusit kandidat do t’i lejonte Serbisë që të shkëputet nga politikat e saj të kaluara dhe do të shmangte rikthimin e rrymave nacionaliste, të rrezikshme për stabilitetin e Serbisë dhe të gjithë rajonit”, u shpreh Tadiç.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Ivica Daçiç theksoi se “Serbia ka bërë gjithçka që ka patur në dorë për të siguruar ftesën. Në këto kushte, një vendim negativ do të ishte paradoksal dhe mund të motivohet vetëm për faktin që Beogradi nuk pranon pjesëmarrjen e Prishtinës në takimet rajonale”.

Duke mbajtur qëndrimin e tij të ashpër, Daçiç shtoi: “Çdo vend tjetër në vend të Serbisë dhe me parametrat tona do të fitonte me lehtësi statusin. Bashkimi Europian nuk mund të vendosë si kusht për integrimin e një vendi copëtimin e integritetit të tij territorial”.

Sipas analistëve, mungesa e statusit të kandidatit mund të rezultojë fatale për qeverinë në pushtet, në votimet e parashikuara të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA