Kukan komenton deklaratën e Daul

09/12/2011 19:25

Eurodeputeti Eduard Kukan u pyet edhe për deklaratën që Josef Daul bëri në kongresin e Partive Popullore Europiane në adresë të liderit të opozitës Edi Rama.

Ai tha se e ka të vështirë ta besojë që Daul të ketë bërë këtë deklaratë. Por nëse kjo ka ndodhur, sipas tij, ka vend për t’u korrigjuar.

“Ju jam mirënjohës për pyetjen dhe faleminderit. Unë do ta quaja si një deklaratë të dyshuar. Zonja dhe zotërinj, unë e njoh personalisht zotin Daul, pasi është kryetari partisë time. Kam shpenzuar me të kohë në situata të ndryshme. Ai është një burrë sic unë e njoh me shumë cilësi të mira. Njëra prej tyre është të qënurit xhentëllmen, e theksoj një xhentëllmen i vërtetë”, deklaroi Kukan.

“Zoti Daul nuk përdor atë gjuhë sikurse është përmendur në atë deklaratë kur ai flet për politikanë të tjerë edhe nëse ata i përkasin kampeve të tjera politike. Për mua është e vështirë të besoj që ai të jetë shprehur në atë mënyrë. Nuk e di si një deklaratë e tillë doli në dritë”, u shpreh ai.

“Një mik i imi, i cili ishte prezent në konferencën e Marsejës, më tha se zoti Daul nuk ka thënë dicka të tillë në fjalimin e tij. Ai nuk ka dhënë asnjë intervistë për median. Unë jam i sigurtë se e vërteta do të mësohet së shpejti dhe korrigjimi, nëse do të jetë i nevojshëm, do të realizohet duke ia drejtuar personit që është përmendur në atë deklarim. Kjo ishte një përgjigje personale e imja, por shumë e sinqertë”, nënvizoi Kukan.

Vetë Daul, pas presioneve të shumta të bëra nga shqiptarët dhe deputeti i PS Erjon Brace në faqen e Facebook, deklaroi mbrëmjen e djeshme se, nëse ka fyer njeri kërkon të falur.

Reagimet erdhën pasi Daul foli për ngjarjen e 21 janarit, duke thënë se kryeministri Berisha ndali gjakderdhjen atë ditë dhe duke cilësuar kryetarin e PS, Edi Rama, si një “të sëmurë”. 

Top Channel