Eurodeputetët, vizitë në Top Channel

09/12/2011 19:50

Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, deputetët e Parlamentit Europian, duke nisur nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Miguel Angel Martinez, kryetari i delegacionit të PE për Ballkanin Eduard Kukan, zëvendëskryetari i këtij delegacioni, Viktor Bostinaru dhe eurodeputetja Tanja Fajon janë takuar me drejtues të Top Channel.

Zotërinjtë Martinez, Bostinaru dhe zonja Fajon kanë vizituar zyrat qendrore të Top Channel, ndërsa takimi me kryetarin e delegacionit, zotin Kukan, për shkak të axhendës së ngjeshur të tij u zhvillua jashtë mjediseve të Top Channel.

Zoti Kukan gjithësesi premtoi se do të vizitojë Top Channel në ardhjen më të afërt të tij në Tiranë. Në të gjitha këto takime, eurodeputetët dhe drejtuesit e televizionit kanë diskutuar për cështjet e lirisë së medias në Shqipëri dhe problematikën e saj në të gjitha aspektet, e më konkretisht në ato cështje që shqetësojnë dhe kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Top Channel.

Të njohur me cështjet e lirisë së medias dhe problematikën e Top Channel, eurodeputetët kanë nënvizuar nevojen që ka sot përpara Shqipëria, që të reflektojë për zhvillimin e një mjedisi për një media të lirë dhe të pavarur, larg presionit të politikës, duke theksuar faktin se cështja e medias dhe specifikisht Top Channel janë përmendur edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Eurodeputetët Bostinaru dhe Fajon janë të angazhuar thellësisht në cështjet e lirisë së medias. Eurodeputeti Bostinaru ka paraqitur në Parlamentin Europian një peticion për lirinë e medias, ndërkohë që Tanja Fajon si ish-gazetare është tepër aktive në cështjet që kanë të bëjnë me median, lirinë dhe pavarësinë e saj.

Eurodeputeti Eduard Kukan nga ana e tij, pjesë e grupit të partive popullore europiane, është informuar dhe ka folur gjerësisht për shqetësimet e ngritura dhe mundësitë që ekzistojnë për të gjetur zgjidhje të problematikave në diskutim.

Në takim, zoti Kukan ka prekur edhe cështjen që ka të bëjë me ligjin e ri për median që po diskuton Parlamenti, duke nënvizuar nevojën e dëgjimit dhe reflektimit të vërejtjeve të grupeve të interesit, pra vetë medias, si edhe miratimin e tij me një konsensus të gjerë.

Miq të Top Channel, me të cilët ka ekzistuar gjithmonë një kontakt intensiv, i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë, eurodeputetët shprehën angazhimin në mbrojtjen e lirisë së medias, si një aspekt i rëndësishëm i një shoqërie demokratike që synon integrimin në Bashkimin Europian.

Një takim i këndshëm ka qenë edhe ai me zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Migel Angel Martinez, një personalitet i shquar dhe me rëndësi i politikës spanjolle dhe i së majtës europiane.

Luftëtar për liritë dhe të drejtat e njeriut, i angazhuar në media përmes mjaft artikujve dhe opinioneve të tij, zoti Martinez ka vuajtur në burgjet spanjolle diktaturën e Frankos, për t’u shndërruar më pas në një prej eksponentëve më të rëndësishëm të grupimit socialist dhe socialdemokrat në Europë.

Zoti Martinez ka qenë president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në vitin 1995, kur Shqipëria u bë anëtare e saj.

Liria e medias u prek edhe në takimin e katërt për Stabilizim-Asociimin mes Shqipërisë dhe BE-së nga eurodeputeti Bostinaru, i cili e vuri theksin tek presioni ndaj Top Channel, për denoncimin e skandalit “Pango”. 

Top Channel