Kryetarët e kuvendeve komunalë në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë diskutuar në një mbledhje të mbajtur të mërkurën situatën në këtë zonë, pas arritjes së marrëveshjes së kufijve.
Në përfundim të mbledhjes, kryetari i kuvendit ilegal të Zvecanit, Dobrosav Dobric ka bërë të ditur se banorët serbë do të vijojnë të qëndrojnë pranë barrikadave.
“Qytetarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në barrikadat e mbetura në rrugët e tjera, për të kontrolluar nëse drejt Jarinjës dhe Bërnjakut kalojnë doganierë dhe policë të Kosovës”, citohet Dobric nga “RTK”.
Ndërkohë, sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic ka deklaruar se nuk ka një afat kohor të vendosur nga qeveria serbe për zbatimin e marrëveshjes për kufijtë me palën kosovare.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Beta”, Ivanovic ka nënvizuar se e rëndësishme është edhe marrëveshja me përfaqësuesit e komunave në veri të Kosovës.
Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve varet nga mbështetja e popullsisë lokale në këtë zonë.
Megjithatë, zyrtari serb ka shprehur besimin se qytetarët serbë do t’i pranojnë të gjitha vendimet e Beogradit, pasi ato nuk janë vendime të negociatorëve, por të qeverisë serbe.
Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve u arrit ditën e premte në raundin e radhës të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, që këtë herë zgjati tre ditë.
Top Channel