Një pjesë e vogël e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të paguhen mesatarisht me 9500 lekë për metër katrorë kompensim, në mënyrë që kjo tokë t’u kalojë më pas ndërtuesve pa leje.
Vendimi i miratuar dje thotë: “Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 43 196.1 (dyzetetremijë e njëqindenëntëdhjetegjashtë pikë një) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 410 676 127 (katërqind e dhjetë milionë e gjashtëqindeshtatëdhjetë e gjashtëmijë e njëqindenjëzeteshtatë) lekë”.
Qeveria nuk e publikoi listën e tokave që do të shpronësohen për llogari të ndërtuesve pa leje, por numri i ndërtuesve pa leje përfitues vlerësohet se do të jetë jo më i lartë se 90 vetë, duke marrë parasysh një sipërfaqe mesatare të legalizuar prej 500 metra për ndërtues pa leje. Kostoja e përgjithshme që taksapaguesit do të duhet të paguajnë mesatarisht për çdo parcelë prej 500 metrash të legalizuar rezulton 4.5 milionë lekë të reja, ndërkohë që ndërtuesit pa leje kanë paguar për vlerën e tokës rreth 200 mijë lekë në dorë dhe 200 mijë të tjera me letra me vlerë.
Ndërkohë, numri i ndërtuesve pa leje përfitues është i papërfillshëm, duke marrë parasysh deklaratën e qeverisë për 220 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin, ndërsa kostoja e përgjithshme e legalizimit, duke marrë parasysh se nevojiten 4 milionë dollarë për vetëm 43 mijë metra katrorë, shkon përtej fuqisë ekonomike të vendit dhe rezulton një proces i papërballueshëm.
Përfitojnë të pasurit
Procesi i legalizimit u nis si një projekt që synonte të ndihmonte të varfrit për të legalizuar ndërtimet e tyre pa leje, por përfituesit më të zakonshëm të këtij procesi deri tani janë ndërtuesit e pallateve, apo kompanitë, të cilat nuk janë tërësisht të varfra dhe në nevojë për ndihmë. Vetë të varfrit ka pak gjasa të përfitojnë certifikata të rregullta pronësie, për shkak se shuma e nevojshme për të paguar pronarët e tokës shkon përtej mundësisë financiare të qeverisë.
Top Channel