Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar të mërkurën katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikimin e qënieve njerëzore drejt vendeve perëndimore.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit të forcave të policisë janë bastisur dy shtëpi dhe një hotel në rajonin e Pejës, si dhe një tjetër shtëpi në rajonin e Mitrovicës.
Policia e Kosovës bën gjithashtu të ditur se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar pasaporta, letërnjoftime, patenta automjetesh, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara.
Gjithashtu policia kosovare, e ndihmuar nga kolegët e misionit EULEX, ka arritur të bjerë në gjurmë të disa transaksioneve financiare, si dhe ka zbuluar një seri emrash në një kompjuter.
Kosova konsiderohet nga institucionet ndërkombëtare si një vendburim i emigracionit klandestin, që kryesisht ka si destinacion vendet e Evropës perëndimore.
Lufta kundër këtij fenomeni dhe krimit të organizuar në tërësi është një nga kushtet kryesore që Kosovës i parashitrohet për afrimin me strukturat evropiane.
Top Channel