Megjithëse është i bindur se Serbia me marrëveshjen e dy dhjetorit ka njohur kufijtë shtetërorë të Kosovës, kryeministri Hashim Thaci duket se po e pengon qëndrimi i Beogradit karshi kësaj çështje.
Në mbledhjen e qeverisë, ai kërkoi nga Brukselidhe SHBA-të që si
garantues të marrëveshjes, të mos e lejojnë Serbinë t’i beje bisht.
“Vëmendje kërkohet edhe nga partnerët ndërkombëtare dhe garantuesit e marrëveshjes së kufijve të integruar, në mënyrë që Serbia të mos i bëjë bisht këtij pakti, siç ka bërë në raste të tjera. Diçka e tillë do të kërkohet edhe në ditët e ardhshme në Bruksel, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Thaçi.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se marrëvesja e integruar e kufirit arrihet vetëm ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Sipas Thaçit, Serbia, me këtë marrëveshje i ka njohur kufijtë e Kosovës. Ai më tej shtoi se menaxhimi i integruar i kufirit do të ndihmojënë zhdukjen e dukurive negative sidomos në kufirin verior me Serbinë.
“Me këtë marrëveshje është vendosur mbizotërimi i ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës, por njëkohësisht, në një mënyrë ose një tjetër, Serbia ka njohur në një mënyrë ose një tjetër, de juro shtetin e Kosovës”, shtoi Thaçi.
Por teksa kryeministri Thaçi komenton sipërfaqësisht marrëveshjen, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi thelbin e marrëveshjes e sheh te protokolli teknik që pritet të nënshkruhet mes palëve. Marrëveshjen e dy dhjetorit, kryeparlamentari e quajti kompromis, pa vend për triumfalizëm nga asnjëra palë.
“Në këtë rast, do të kërkoja që qeveria të tregohet e kujdesshme, gjatë hartimit dhe nënshkrimit të protokollit teknik, i cili do të sqarojë mënyrën se si do të realizohet kjo marrëveshje”.
Autoritetet kosovare zotohen se në të gjashtë pikëkalimet kufitare do të zbatohet legjislacioni i Kosovës nga agjencitë përkatëse, ndërkohë që “Eulexi”, sipas ftesës së institucioneve të Kosovës, pritet të ketë rolin e monitoruesit në mbështetje për zbatimin e standardeve europiane për menaxhimin e integruar të kufirit.
Top Channel