Edita Tahiri, është kthyer nga Brukseli ku ka zhvilluar takim maratonik me përfaqësuesin serb, Borisllav Stefanoviç, derisa u pajtuan për menaxhimin e integruar të kufirit, që tashmë po quhet vetëm si IBM, duke ua lënë palëve ta interpretojnë këtë shkurtesë.

Në një konferencë ajo është shprehur se delegacioni i saj ka mbrojtur interesat eKosovës dhe Kushtetutën e saj, ndërsa ka thënë se Serbia tashmë e ka njohur kufirin e Kosovës.

Zonja Tahiri, ka pranuar se në zonën e përbashkët, aty ku do të vendoset një objekt i përbashkët, nuk do të ketë simbole shtetërore të asnjërës palë, por ato do të vendosen, siç ka thënë ajo, 1 cm me të mbaruar objekti, kurse gjithë këtë marrëveshje e ka cilësuar si vulosje të aksionit të 25 korrikut të Qeverisë, kur dërgoi specialet në veri.

Tashmë Qeveria e Kosovës pret që Serbia të largojë barrikadat në veri.

 “Ne do të vendosim flamurin dhe të gjitha simbolet e shtetit 1 cm me të mbaruar objekti, do të jenë  edhe simbolet shtetërore aty ku janë dhe sot. I gjithë qëllimi i barrikadave ka qenë që të mos lejohen policët e Kosovës në veri. Tani Serbia e ka pranuar këtë. Barrikadat do të hiqen, nëse jo barra bie mbi Serbin”, tha Edita Tahiri, Zëvëndës/Kryeministre e Kosovës.

Po sipas zëvëndës/kryeministres Tahiri, marrëveshja është si parapërgatitje për zonën Shengen, ndërsa e ka vlerësuar marrëveshjen si të suksesshme meqë në legjislacionin e BE-së marrëveshjet e tilla njihen vetëm si “ndër-shtetërore”, dhe se sipas saj, EULEX-i do të ketë rol mbështetes e jo ekzekutiv.

“Me këtë marrëveshje Serbia e ka pranuar kufirin me Kosovën. Menaxhimi i integruar i kufirit bëhet bëhet ndërmjet dy shteteve sipas Traktatit të Lisbonës. Në të dy anët ligjet e secilës palë. Ndërsa EULEX-i do të jetë në mbështetje të sundimit të ligjit dhe të imlepentimit të marrëveshjes”, vazhdoi Tahiri.

Ajo ka thënë se prezenca e Kosovës në pikat kufitare me Serbinë do të jenë sipas Kushtetutës së Kosovës, ndërsa ka shtuar se të hyrat nga doganat do të shkojnë direkt në buxhetin e Kosovës.

Ndryshe, zëvëndës/kryeministrja Tahiri nuk është përgjigjur direkt nëse marrëveshja në fjalë do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, përderisa ka rikujtuar se “marrëveshja do të nënshkruhet nga palët”.

Në lidhje me këtë çështje, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin që është miratuar në Kuvend atëherë nuk ka nevojë të vijë, por u ka lënë rrugë të hapur subjekteve politike opozitare, që gjatë dy ditëve të fundit kanë shprehur kundërshtime.
 
 “Por varet edhe nga kërkesat, nëse grupet parlamentare bëjnë kërkesë për ta futur në rend dite në mbledhjet parlamentare, në jemi të gatshëm që ta bëjmë atë”, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, subjektet politike opozitare e kundërshtuan atë, ndërsa deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar që marrëveshja të mbërrijë në Kuvend për t’i kaluar procedurat.

Top Channel