Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar se vendi i tij ka bërë
mjaftueshëm për të fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin
Evropian.
Megjithatë, Tadic ka nënvizuar se nuk është e sigurtë se kjo do të ndodhë në samitin e kësaj jave që mbahet në Bruksel.
“Serbia ka arritur një zgjidhje konkrete në dialogun Prishtinë-Beograd, duke pasur parasysh interesat legjitime të popullit serb”, ka dekalruar Tadic.
Më tej presidenti serb është shprehur se Serbisë edhe mund t’i kushtëzohet anëtarësimi në Union në mënyrë të papranueshme.
“Për këtë arsye duhet pritur 9 dhjetori, kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të vendosë për këtë cështje”, ka shtuar presidenti serb.
Reagimi i Tadic vjen një ditë pas lëvizjes së barrikadave në fshatin Jagenicë, që u hoqën pas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes delegacionit serb dhe atij kosovar për menaxhimin e integruar të kufijve.
Në reagimin e tij të parë, presidenti vlerësoi se një gjë e tillë ishte e nevojshme për të dalë nga rrethi i dhunës që mbizotëronte në veri të Kosovës.
Ndërsa përfaqësuesit e partive politike serbe shprehën qëndrime të kundërta lidhur me heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Përsa i përket statusit të kandidatit, ishte kancelarja gjermane Angela Merkel që i preu hovin Serbisë, duke deklaruar se vendi nuk i ka plotësuar ende kushtet.
Ndërkohë që gazeta prestigjoze “The Guardian” shkruante në një numër të saj se, Kosova po rrezikon integrimin e Serbisë, duke qenë se me qëndrimin e Gjermanisë është bashkuar edhe Britania, Austria e Holanda.
Top Channel