Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur së fundi për menaxhimin e integruar të kufijve (MIK) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç raportoi “Telegrafi”, ambasada amerikane beson se kjo marrëveshje mbron interesat më të mira të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

“Siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e këtij pakti me Serbinë. Marrëveshja mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga zyra e shtypit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

“Marrëveshja për MIK mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it, që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare. Marrëveshja për MIK, po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjeve të Kosovës”, mund të lexohej.

Gjithashtu, sipas ambasadës amerikane, ka ardhur koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen tërësisht. “Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA