Përse u rrëzuan amendamentet e opozitës për buxhetin?

06/12/2011 00:00

Florjon Mima – Dje, teksa miratohej nen për nen projektbuxheti i vitit 2012, opozita
paraqiti një grup amendamentesh në ligjet tatimore më kryesore të
vendit.

Ato konsistonin në prezantimin e një liste përjashtimesh nga TVSH apo edhe ulje shkallësh tatimore për disa mallra e shërbime të caktuara, si dhe prezantimin e një sistemi taksimi progresiv për të ardhurat e individëve për të zëvendësuar taksimin e sheshtë në fuqi prej 3-4 vitesh në Shqipëri.

Të dyja propozimet ranë dhe po përpiqem të shpjegoj këtu më poshtë përse ndodhi kjo.

Së pari, votimi nen për nen është procesi i fundit në një cikël një apo edhe më shumëvjeçar procesesh që nisin që me hartimin e tavaneve për agjencitë përdoruese të buxhetit, planifikimin një për një të të gjitha nevojave, organizimin e dhjetëra e qindra seancave dëgjimore, përshtatjen e treguesve buxhetorë dhe sjelljen e tyre në linjë me treguesit makroekonomikë të vendit, përplasjen e kërkesave shpenzuese me kapacitetet e të hyrave publike, ruajtjen e deficiteve korrente dhe stoqeve të borxheve në përputhje me rregullat fiskale ligjore, vendosjen e prioriteteve sipas një strategjie kombëtare për integrim e zhvillim dhe sipas një metodologjie të planifikimit strategjik etj. Më tej ai kalon në hallkat e miratimit të ekzekutivit dhe në fund vjen për të marrë edhe vulën e ligjvënësit, i cili autorizon aprovimet në emër e për llogari të popullit. I gjithë ky proces që u përpoqa ta përmbledh me një paragraf, i ngjan ngritjes së një ngrehine, projektimit të ndërtesës, hapjes së themeleve, ngritjes së mureve, suvatimit, kabllimit të energjisë, furnizimit e shkarkimit të ujërave, vendosjes së çatisë, dyerve, dritareve, etj., etj., për të arritur te vendosja e numrit në derë të shtëpisë, i cili është një proces fundor për nga radha e punëve, por jo për nga rëndësia e tij. Pa e ulur aspak vlerën e procesit të miratimit nen për nen, por thjesht për të kuptuar më mirë simbolikën e krahasimit, procesi i paraqitjes së amendamenteve të djeshme i ngjante pikërisht inaugurimit të shtëpisë dhe vendosjes së numrit mbi derë, e teksa kjo po ndodhte, opozita u kujtua për themelet e ndërtesës dhe tha se nuk ishte dakord me numrin mbi derë, pasi duheshin ndërtuar themele të tjera, themele që nuk duheshin projektuar për të mbajtur atë peshë por, për çudi të të gjithëve, një peshë më të lehtë. Të kërkosh të modifikosh në këtë fazë të planifikimit e miratimit të buxhetit TVSH dhe Tatimin mbi të Ardhurat është njëlloj si të heqësh një gur themeli e të kërkosh ta zëvendësosh me një tjetër.

Së dyti, opozita duhet të kuptojë logjikën e funksionimit demokratik të institucioneve të dala nga vota e lirë e popullit, si edhe tagrave që kjo votë u jep institucioneve respektive. Kjo mazhorancë as ka premtuar e as është votuar për të prezantuar përjashtimet dhe sistemet tatimore të opozitës. Opozita nuk ka përse të bindë e as t’u kërkojë deputetëve të mazhorancës të votojnë projektin e saj. Këtë ajo duhet ta bëjë me popullin shqiptar, pra, të bindë atë që sistemi i saj është më i mirë se i kësaj mazhorance e pasi të marrë votat për këtë, mund të prezantojë ato që ajo i premtoi popullit. Është njëlloj sikur opozita e sotme, e cila mund të bëhet mazhorancë, të themi, në vitin 2021 të prezantojë në këtë vit taksimin progresiv, dhe mazhoranca e sotme e opozita e vitit 2021 të kërkojë të riprezantojë taksën e sheshtë.

Së treti, jam prononcuar më parë për ndryshimet e propozuara në ligjin për TVSH, ndaj sot do të ndalem vetëm në propozimin e ri për “heqjen e TVSH së librit”. Nuk po përmend që ky propozim konsumoi në mënyrë publike veprën e konfliktit të interesit madje pa u ndrojtur se konflikti ishte jo i tërthortë e as i perceptuar por i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë. Pavarësisht nga kjo, propozimi që shitet sikur ka të bëjë me TVSH e librit, nuk është i tillë, pasi libri nuk ka TVSH as në shitjet vendore e as në import, pra konsumatori final e merr librin, qoftë ky i prodhuar në vend apo nga importi, pa TVSH. Ai rreket të heqë të gjithë TVSH shoqëruese të gjithçkaje ka të bëjë me procesin e prodhimit të një libri. Pra, që shtypshkronja të mos i faturojë më TVSH shtëpisë botuese, që shtëpia botuese të mos u faturojë me TVSH porositësve të librave, që CEZ të mos i faturojë më TVSH shtypshkronjave dhe po ashtu edhe fabrikat e letrës të mos shesin letrën për librin me TVSH, që sharrat të mos shesin lëndën drusore që shkon për prodhim letre me TVSH, që letra e importit, bojërat, lastrat etj., etj. të sillen në vend pa TVSH, që pikat e karburantit që furnizojnë sharrat të mos i faturojnë atyre me TVSH për pjesën e karburantit që i përket drurit që do të bëhet letër për libër. Pra, në një paragraf listova disa nga gropat që hapen për të mbyllur një vrimë. Them gropat, pasi të gjitha këto përjashtime do të kthehen në penalizime për furnizuesit e furnizimeve të përjashtuara, të cilët, duke mos shitur 100% me TVSH do të kenë të drejtë të marrin mbrapsht vetëm një pjesë të TVSH së paguar në blerje apo importe. Pra atë që duket sikur do ta fitojnë shtëpitë botuese e shtypshkronjat do ta vuajnë në kurriz furnitorët e tyre, të cilët do të duhet të përfshijnë si elementë të kostos së tyre TVSH që nuk arrijnë të kreditojnë për shkak të furnizimeve të përjashtuara të ndërlidhura me librin, çka automatikisht do të thotë rritje çmimesh për furnizimet e tyre. Këtij propozimi asgjë nuk mund t’ia heqë dozën e humorit që e shoqëron, as shkrimi me gjuhë teknicienësh, as përdorimi i konceptit të furnizimit me 0%, asgjë. Është shkruar thjesht për të të bërë të buzëqeshësh madje, pa dashur të bëjë diversion, dje kanë buzëqeshur më shumë disa kolegë socialistë të cilët e kuptojnë me dhimbje që ky propozim është kallp dhe si i tillë nuk meriton të investohesh për të.

Si përfundim do të thoja se pavarësisht gjithçkaje që ndodhi dje, Shqipëria e 2012-s ka buxhetin e saj, prudent, realisto-konservativ dhe të pajisur me çdo kontingjencë për të papritura që mund të vijnë nga territore të stresuara, në krizë apo recesion. Ky buxhet u bën nder hartuesve dhe përdoruesve të tij dhe ai kërkon të njëjtën filozofi e disiplinë rigoroze gjatë zbatimit të tij.

Gazeta “Shqip”

Top Channel