Dega e Aleancës Kuqezi në Maqedoni ka reaguar në lidhje me marrëveshjen
policore mes Shkupit dhe Beogradit, që parashikon praninë dhe
patrullimin e policisë serbe në zonat me shumicë shqiptare në Maqedoni.

Në një reagim për shtyp, të cituar nga “INA”, AK thekson se, marrëveshja e nënshkruar është provokimi i radhës për shqiptarët, të cilët do të reagojnë në kohën dhe në mënyrën e duhur.

“Marrëveshje të tilla nuk i kontribuojnë realisht integrimit evropian apo bashkëpunimit rajonal, por shtojnë edhe më shumë keqkuptimet dhe paragjykimet në rajonin e trazuar ballkanik”, thekson AK.

Gjithashtu, AK ka kërkuar që marrëveshja në fjalë të kundërshtohet dhe të shpallet e pavlefshme nga vendimmarrja politike.

Ajo u nënshkrua në fillim të muajit nga ministrat e Brendshëm të Maqedonisë dhe Serbisë, Gordana Jankullovska dhe Ivica Daçiç. Dy vendet po ashtu mund të shkëmbejnë forca policie në situata të caktuara, sidomos në ato të rrezikut të lartë.

Me këtë marrëveshje nuk u pajtuan politikanë shqiptarë të opozitës. “Ne nuk kemi asgjë kundër bashkëpunimit rajonal, por është sinjifikative gatishmëria e qeverisë së Maqedonisë që të bashkëpunojë vetëm me qeverinë e Serbisë dhe kjo nuk është një punë që vjen erë të mirë”, tha Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

“Mendoj që këta shqiptarë që janë në qeveri pak më thellë duhet të jenë të interesuar që ky bashkëpunim mos të jetë fryt i qëndrimit të përbashkët, sepse të dy qeveritë janë anti-shqiptare”, theksoi ai.

Policia e Maqedonisë muaj më parë nënshkroi me Serbinë edhe një marrëveshje tjetër të rëndësishme, sic është ajo për lëvizjen e qytetarëve pa pasaporta.

Ndërkohë që mësohet se një marrëveshje e ngjajshme me Shqipërinë nuk pritet të arrihet para vitit 2013, edhe pse Shqipëria i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA